Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani u takua me ambasadoren e Luksemburgut, Natacha Gomes

25.02.2020

Luksemburgu premton vazhdimin e mbështetjes së projekteve në arsim e shëndetësi

 

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani ka takuar ambasadoren e Luksemburgut, Natacha Gomes.

 

Në takim u bisedua për bashkëpunimin bilateral ndërmjet të të dy shteteve.

 

Ambasadorja Gomes ka shprehur gatishmërinë e shtetit të saj për ta ndihmuar Kosovën me ekspertizë në sferën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

 

Përveç kësaj, ajo ka bërë të ditur se Luksemburgu do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në sferën e shëndetësisë dhe arsimit.

 

Ndërkaq kryekuvendarja Osmani ka falënderuar ambasadoren për ndihmën nga shteti i Luksemburgut, duke kërkuar gjithashtu shtirjen e bashkëpunimit në sferën e parlamentarizmit dhe të grupeve të miqësisë ndërparlamentare.

 

Zonja Osmani ka bërë të ditur se një nga synimet e saj në krye të Kuvendit do të jetë edhe çështja e mjedisit. Në këtë kontekst, Osmani ka thënë se duhet bërë më shumë për politikat mjedisore që synojnë uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, zhvillimin e energjisë së ripërtritshme, si dhe zhvillimin e qëndrueshëm.​