Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi miratoi Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020

15.03.2020

Me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën e sotme plenare, miratoi në shqyrtim të dytë Projektligjin nr. 07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020, me amendamentet e komisionit funksional.

 

Raportin me amendamente të komisionit funksional për Buxhet dhe Transfere, për miratimin e këtij projektligji, e paraqiti kryetari i këtij komisioni, Hekuran Murati.

 

Paraprakisht, me 57 vota për dhe 5 abstenime, Kuvendi miratoi edhe rezolutën lidhur me bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e futur me mocion si pikë e parë e rendit të ditës e kësaj seance, sipas propozimit të kryetarit të GP të LDK-së, Arben Gashi.

 

Në këtë seancë nuk ishin të pranishëm deputetë të grupeve parlamentare në opozitë.