Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Transfere

08.07.2020

Komisioni për Buxhet dhe Transfere, drejtuar nga kryetari Hekuran Murati, ka shqyrtuar sot në parim Projektligjin nr.07/L-014 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.07/L-001 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.

 

Para komisionit projektligjin e prezantoi dhe e arsyetoi ministrja e Financave, Hykmete Bajrami. Sipas saj, ky projektligj ka ardhur si rezultat i rënies së të hyrave dhe gjendjes së rëndë të bizneseve dhe punëtorëve, prandaj, ajo shtoi se qeveria ka marrë nismë ligjore qysh në fillimin e punës, për rishikimin e buxhetit, në mënyrë që të ketë mundësi për të marrë veprime për t’u përballur me virusin korona.

 

“Ne kemi përgatitur një draft që është gjithëpërfshirës dhe sado pak u përgjigjet sfidave të cilat i kemi para nesh, por duhet të kemi parasysh gjithashtu se jemi duke u përballur me një sfidë të pazakontë”, theksoi Bajrami.

 

Ministrja Bajrami, po ashtu tha se shpenzimet e buxhetit do të jenë 2 miliardë e 620 milionë euro, ndërsa 385 milionë euro do të dedikohen për rimëkëmbjen ekonomike.

 

Në vazhdim, deputetët pjesëmarrës, parashtruan pyetje, duke marrë përgjigjet nga ministrja Bajrami. Pas shterjes së debatit, me 6 vota pro dhe 4 kundër, Komisioni i dha mbështetje Projektligjit për rishikimin e buxhetit për vitin 2020, duke e proceduar për shqyrtim dhe miratim në Kuvend.