Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike

26.06.2020

Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, kryesuar nga Endrit Shala, kryetar, mbajti sot mbledhjen e radhës. 

Në këtë mbledhje, hapësirë e veçantë diskutimi iu dha kërkesës së Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, për rishqyrtim të Raportit me rekomandime për zgjedhjen e Bordit të drejtorëve të ndërmarrjes Publike – Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT. 

Kërkesa e Kryesisë së Kuvendit u adresua duke kërkuar që në rekomandimin e kandidatëve për Bordin e KOSTT, të ketë respektim të detyrimit ligjor për përfaqësim të barabartë gjinor, meqë përmbushja e këtij kriteri vlen për rekrutimin e të gjitha bordeve të shoqërive aksionare.

Marr parasysh këtë kërkesë, anëtarët e komisionit u dakorduan që listës së kandidatëve potencialë për këtë bord, t’i shtohen edhe dy anëtarë të tjerë, bazuar në performancën e tyre gjatë rekrutimit dhe si e tillë t’i rekomandohet Kryesisë, për procedim të mëtutjeshëm.

Mbledhja vazhdoi punimet me aprovimin e shumicës së anëtarëve të komisionit për të ftuar në mbledhjen e radhës, që do të mbahet të martën e ardhshme, bordin e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), së bashku me kryeshefen e Telekomit të Kosovës.