Komisioni për Integrim Evropian, gjatë mbledhjes së mbajtur sot, të drejtuar nga kryetari Ismet Beqiri, diskutoi lidhur me organizimin e punës së tij për periudhën në vijim.
Kryetari Ismet Beqiri tha se komisioni që ai drejton do të luaj rol mbikëqyrës ndaj ministrive të ndryshme.
Gjatë mbledhjes u zhvilluan polemika midis anëtarëve të komisionit lidhur me caktimet e deputetëve nëpër komisioneve parlamentare dhe pozitat udhëheqëse të tyre.
Po ashtu u adresuan kërkesa dhe u zhvilluan diskutime edhe lidhur me nevojën për raportim të kryeministrit Hoti në komision, përkitazi me takimet e tij në Bruksel.
Komisioni u dakordua që në një takim të radhës ta ftojë kryeministrin për njoftim lidhur me procesin e liberalizimit të vizave dhe për takimet që ai ka zhvilluar në selinë e Bashkimit Evropian.