Kuvendi i Republikës së Kosovës

Telegram ngushëllimi familjes Gorani

07.07.2020

Kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani i shprehu sot ngushëllime familjes Gorani, me rastin e ndarjes nga jeta të prof. Hajrullah Goranit, kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Kosovës gjatë viteve '90. 

 

"Me dhimbje e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të prof. Hajrullah Goranit, njeriut i cili tërë jetën ia kushtoi arsimit, të drejtave të punëtorëve, si dhe realizimit të aspiratave të shqiptarëve për liri. Prof. Gorani u shqua sidomos gjatë viteve të rezistencës për liri, në vitet '90, kur u vu në krye  të Sindikatës së Punëtorëve të Kosovës dhe u bë kësisoj pjesë e rezistencës paqësore kundër regjimit serb. Prof. Gorani diti t'i mobilizonte sindikatat dhe punëtorët shqiptarë në greva për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të tyre dhe ushtroi mosbindje qytetare ndaj ligjeve shtypëse të Serbisë në Kosovë.

Ai arriti që t'i mobilizonte punëtorët dhe gjithë popullin shqiptar në grevën e njohur të punëtorëve shqiptarë kundër masave të dhunshme në fillimvitet '90. 

Ne do ta kujtojmë me respekt z. Gorani. Në këto momente lutemi për shpirtin e profesor Goranit dhe ndajmë dhimbjen me familjen dhe miqtë e tij".