Në mbledhjen e sotme, Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale drejtuar nga Besa Baftiu, (kryetare) kishte të ftuar në takim ministrin Skënder Reçica, të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Tematika e takimit ishte; reforma e sistemit pensional në Kosovë dhe zbatimi i legjislacionit nga fusha e punës dhe mirëqenies sociale.
Ministri Reçica bëri një ekspoze të punës reformuese për sistemit pensional që ka ndërmarr kjo ministri. Pas diskutimit dhe pyetjeve të ndryshme të deputetëve, ministri Reçica, theksoi se tashmë kemi një situatë të re. "Kemi një Komision Parlamentar të krijuar, për ta drejtuar procesin e reformës për sistemin pensional, por si ministër, në krye të një grupi punues për ndryshimin dhe reformimin e sistemit pensional, do ti luteshim komisionit, ta marrë në konsideratë Koncept-dokumentin që kemi përgatitur, pasi kemi kryer një punë e mirë dhe voluminoze".
Lidhur me zbatimin e legjislacionit nga fusha e punës dhe mirëqenies sociale, takimi vijoi në formën e pyetjeve dhe përgjigjeve. Deputetët pyetën dhe kërkuan sqarime për një sërë problemesh të ndryshme e sidomos me rastet e rënda kur punonjësit kanë humbur jetën gjatë punës. Ministri dha sqarimet e duhura lidhur me zbatimin e ligjit dhe mundësive që aktualisht ka Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.