Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka reaguar lidhur me rastin e ushtrimit të dhunës ndaj Kaltrina Ibishit.
Në reagim thuhet:
"Rastin e publikimit të dhunës së ushtruar kundër Kaltrina Ibishit, e përjetuam vërtet rëndë. Rëndë, për faktin se dhuna e ushtruar kundër gruas, si gjini fizikisht më e pafuqishme, ka shëmtinë e vet arkaike, burracakërinë dhe perversitetin.
Të jeni të bindur se raste të tilla të dhunës ka dhe janë të shumta. Dhuna nuk ushtrohet vetëm në zonat rurale, aty ku në përqindje është më i theksuar patriarkalizmi. Dhuna ushtrohet edhe nga njerëzit e veshur me kravata, edhe nga njerëzit më kuleta të fryra, edhe nga politikanë të profileve të ndryshme, madje edhe nga vetë predikuesit fetarë. Madje këta të fundit thonë se gruaja duhet të varroset më thellë se burri. E turpshme kjo!
Si çdo plagë trupore, edhe kjo plagë e shoqërisë duhet të hapet që e keqja të del.
Zëri i Kaltrinës është një zë, fatkeqësisht shumë i vetmuar, siç është edhe vetë zëri i Oso-s së vogël - djalit të, Kaltrinës, si përjetues i dhunës.
Kaltrina dhe shumë Kaltrina të tjera duhet të buçasin, t'i dëgjojë shoqëria.
Oso duhet të nxjerr gjëmën, bash si Oso Kuka i Vraninës që ta dëgjojë bota!
Kaltrina është një ekzemplar shembullor i një heroine. E tillë na duhet ne femrave sot. Ajo është një heroinë çfarë i duhet shoqërisë tonë për shërimin e plagëve arkaike të dominimit gjinor".