Kuvendi i Republikës së Kosovës

Konferenca Ndërkombëtarë për Përvjetorin e 70-të të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (23 nëntor 2020, përmes ZOOM platformës) - Fjalimi nga Dr.Vjosa Osmani-Sadriu Presidente në detyrë e Kosovës dhe Kryetare e Kuvendit

27.11.2020

I nderuar ambasador Rhode (Ambasador i Gjermanisë në Kosovë),

I nderuar z. Poirel (Drejtor i Drejtorisë për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligji, Këshilli i Evropës)

I nderuar z. Power (Shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë)

Të nderuar përfaqësuese të Gjykatës Kushtetuese në Kosovë dhe të gjithë ju prezent në këtë ngjarje sot,

 

Me lejoni të fillojë duke thënë se, unë kam mbajtur mjaft fjalime dhe prezantime që kur u zgjodha Kryetare e Kuvendit dhe akoma më shumë tani pas marrjes së funksionit së ushtrueses së detyrës së Presidentit, dhe siç mund ta imagjinoni, disa tema i kam më afër zemrës se të tjerat, për disa tema gëzohem më shumë se sa për të tjerat. Por, unë në veçanti i jam gëzuar kësaj konference, pasi që më kthen në kujtimet e dashura kur isha, në njërën anë, duke punuar për Këshillin e Evropës, duke i trajnuar gjyqtarët për Konventën Evropiane, dhe në anën tjetër duke ligjëruar për Konventën në Fakultetin Juridik. Kështu që është një kënaqësi e veçantë t’ju adresohem në shënimin e përvjetorit të 70-të të nënshkrimit të Konventës Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore në Romë në vitin 1950. Që nga atëherë, KEDNj ka arritur të paraqes të drejtat themelore që të gjithë ne duhet të kemi mundësi të jetojmë një jetë të lirë dhe dinjitoze, duke u bërë kështu themeli i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Evropë. 

 

Ndërsa disa mendojnë që KEDNj ka qenë shumë progresive, të tjerët e gjykojnë për të qenë e kundërta. Fakti është që, megjithatë, është vërtet e jashtëzakonshme se si në disa qindra fjalë  kjo Konventë ka arritur të krijojë një model për një shoqëri të lirë, të drejtë dhe demokratike, ku e drejta për jetë, liri dhe liri të shprehjes janë të garantuara si të drejta universale dhe të pandashme. Prandaj, kjo Konventë me plot të drejtë konsiderohet si sistemi më i suksesshëm për zbatimin e të drejtave të njeriut në historinë e botës.

 

Ndërsa Konventa dhe e drejta e precedentit kanë arritur të krijojnë një qasje të institucionalizuar dhe sistematike drejt mbrojtjes së të drejtave të njeriut, domosdoshmëria për të mbrojtur dhe për të ngritur zërin për këto të drejta sot si kurrë më parë është po aq e rëndësishme sa është edhe prioritare. Prandaj, sot, ndërsa vlerësojmë efektet e saj praktike mbi të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, ne gjithashtu ritheksojmë angazhimin tonë për promovimin dhe zbatimin e mëtutjeshëm të standardeve për të drejtat e njeriut, siç është përcaktuar në të dhe të drejtën e precedentit në të cilën bazohet.

 

Duke pasur parasysh kushtet tona të jetesës që vazhdimisht ndryshojnë, është më të vërtet e jashtëzakonshme se si Konventa nuk ka mbetur e ngrirë në kohë. Përmes te drejtës së precedentit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut – mbrojtësi i kësaj Konvente, ajo ka arritur t’u përshtatet rrethanave. Kjo ka kontribuar në zgjerimin e fushës së të drejtave të garantuara nga Konventa duke marr parasysh zhvillimet shoqërore, mjedisore the teknologjike të cilat ishin të paparashikueshme në kohën kur është miratuar ajo. Megjithatë, me tendencat në ngritje për të vënë në mëdyshje vet bazën e kornizës Evropiane së të drejtave të njeriut, ngjarjet dhe forumet si ky, të cilët na ofrojnë një mundësi për të reflektuar mbi të arriturat dhe atë që duhet të prioritizohet në rrugën përpara, bëhen gjithnjë më të rëndësishme.  

 

Këto janë kohë të vështira. Jemi dëshmitarë të rritjes së mos-tolerancës së hapur dhe të drejtpërdrejtë, dhunës, ndjenjave intensive të racizmit, krimeve të urrejtjes, terrorizmit dhe radikalizmit, modeleve të zgjeruara të fjalimeve të urrejtjes, veçanërisht ndaj njerëzve që mund të duken, besojnë apo të vishen ndryshe. Tani është evidentuar qartësisht që në vitin 2019 si në vitet e mëparshme, ka pasur sfida gjithnjë më të mëdha për standardet dhe parimet e të drejtave të njeriut në mbarë kontinentin.

 

Me këto sfida përpara nesh, në këtë përvjetorin e 70-të të  KEDNj-së, vlen të ndalemi për një moment për të vlerësuar se sa e rëndësishme ka qenë kjo Konventë dhe po ashtu, sa e rëndësishme mbetet, për të na mbrojtur nga instinktet më të ulëta. Kështu duke u përballur bashkërisht me këto sfida, unë lutem që të vazhdojnë të na udhëheqin vlerat dhe premisat mbi të cilat është ndërtuar kjo Konventë, respektivisht, mbrojtja e të drejtave të njeriut, sundimi i ligjit dhe promovimi i demokracisë. 

 

Me lejoni të përmbyll duke përmendur rëndësinë e kësaj Konvente në Kosovë. Siç e dini, ne  e kemi bërë drejtpërdrejt të zbatueshme në sistemin tonë ligjor përmes Nenit 22 të Kushtetutës. Për më tepër, edhe pse nuk jemi anëtar të KiE, përmes Kushtetutës sonë, Neni 53, ne kemi përforcuar përkushtimin e çdo institucioni publik për të garantuar që të drejtat e njeriut dhe liritë themelore në Kosovë të interpretohen në pajtueshmëri me vendimet dhe gjykimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Por zonja dhe zotërinj, vet fakti së Kosovës nuk i lejohet t’i bashkohet Këshillit të Evropës dhe prandaj e përdor mekanizmin e KEDNj-së, unë besoj, është shkelje e të drejtave të njeriut. Qytetarët tanë nuk mund t’i adresojnë rastet e tyre në Strasburg, nëse shkelja vjen nga institucionet e vendit tyre. Në këtë rast, atyre iu mohohet njëri nga instrumentet më themelore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, që është qasja ndaj drejtësisë dhe mbrojtjes ligjore të të drejtave. Prandaj, ndërsa diskutojmë sot për rëndësinë e kësaj Konvente për evropianet në gjithë kontinentet, ju lutem të keni parasysh, që edhe ne jemi evropianë dhe qasja në drejtësi, qasja në KEDNj, asnjëherë nuk duhet të politizohet. Prandaj, ka ardhur koha që Këshilli i Evropës t’ia hap dyert Kosovës, pasi që vetëm në këtë mënyrë mund të themi që është duke i mbështetur vlerat e mishëruara në KEDNj. Sepse vetëm atëherë, ne me bindje të plotë mund të themi që jemi duke punuar për të jetuar në Evropën e sigurt, të drejtë dhe paqësore, pasi që ne kemi siguruar respektin më të lartë për të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët tonë.