Kuvendi i Republikës së Kosovës

Fjala e plotë e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, në seancën solemne me rastin e shënimit të 25 - vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës   

06.03.2023

Të nderuar anëtarë të familjes së madhe Jashari, 
I dashuri Baci Rifat, 
Të nderuar deputetë, 
E nderuara Presidente Osmani-Sadriu, 
I nderuar Kryeministër Kurti, 
I nderuar Komandant Jashari
Të nderuara familje të dëshmorëve, martirëve, invalidëve e veteranëve të UÇK-së, 
Zv. Kryeministra e Ministra, 
Të nderuar përfaqësues të shoqatave të luftës, 
Të dashur ish Presidentë, 
Të dashur përfaqësues të institucioneve tona shtetërore, 
Kryetarë komunash, 
Të dashur ambasadorë, 
Mysafirë të pranishëm, zonja e zotërinj, 

 
Lufta e Prekazit dhe sakrifica e Jasharajve është ngjarje e pashembullt jo vetëm në historinë tonë kombëtare. Një të ngjashme nuk e njeh as historia e botës. 
Familja e gjerë Jashari, tre breza në kullën e tyre shekullore, në tokën e lashtë të stërgjyshërve, nga Baci Shaban e deri te Blerimi i vogël, e shpallën lirinë e popullit tonë dhe e mbrojtën atë deri në vetëflijimin e tyre të plotë. Lufta ishte aq legjendare, sakrifica aq sublime, kurse vetëmohimi aq tronditës, saqë kombi shqiptar kaloi në një dimension tjetër të vetëdijes, kurse bota u zhvendos nga orbita e vet politike. Ky është momenti kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës u bë frymë dhe e përfshiu të gjithë popullin tonë. 
 
5, 6 dhe 7 marsi i vitit 1998 është kthesa kur sakrifica bëhet Epope. 
 
Ne për liri kemi luftuar gjatë dhe gjatë historisë kemi dhënë shumë. 
Por lufta e Prekazit dhe rënia e Jasharajve është kondensimi i të gjitha përpjekjeve tona të pareshtura. Ajo e përmban të gjithë mundin, vetëdijen kombëtare dhe gatishmërinë e të gjitha gjeneratave të mëparshme për liri. Thuajse të gjitha ëndrrat e idealet tona qysh nga koha e Skënderbeut, të gjitha burgosjet, sakrificat, vuajtjet e vështirësitë nëpër të cilat kaluam, e pritën Adem e Hamëz Jasharin me prindërit, gratë, fëmijët dhe familjarët e tyre që ta kurorëzonin lirinë tonë. Liria dhe pavarësia jonë u shpallën e u mbrojtën me gjak në ata metra katrorë të kullës së Jasharajve. 12 qershori dhe 17 shkurti janë kapituj të po atij libri monumental. E të gjithë e dimë që, kur flasim për Jasharajt, lavdia e të gjallëve është jo më e pakët se e të rënëve. Besarta mbijetoi për ta ndarë me ne qëndresën legjendare dhe flijimin e familjes së saj. Zoti u kujdes që dëshmia të jetojë.  
 
Shpesh më del para syve momenti kur Baci Rifat kthehet në Prekaz mes varreve ende të freskëta. Me plis në kokë dhe mustaqet e tij të bardha, në atë ecje titanike ai barte mbi supet e tij si kreshtat e maleve tona krejt dhimbjen tonë historike por edhe krenarinë tonë më të lartë. I kishte humbur 55 anëtarë të familjes, prej tyre gruan dhe 4 fëmijët e tij, prindërit e tij, vëllezërit bashkë me gratë e tyre dhe 9 nipa e mbesa. Por ishte ai që i ngushëllonte të tjerët, familjarët e gjallë, ushtarët e UÇK-së dhe bashkëfshatarët e tij. 
 
Të dashur vëllezër e motra, vetëm për një minutë mundohuni, ju lutem, ta zini vendin e Bacit Rifat, dhe më thoni – a nuk është pikërisht ky definicioni i heroit tonë të gjallë. 
 
Lavdi luftës dhe sakrificës së familjes Jashari!
Lavdi Epopesë së UÇK-së!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!