Kuvendi i Republikës së Kosovës

Osmani: Synojmë përqendrimin në arsim, shëndetësi dhe punësim

20.02.2020
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, në një takim me përfaqësuesit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, z. Gabriel Di Bella, tha se institucionet e vendit janë të përkushtuara që të krijojnë një kulturë të re të qeverisjes, si dhe një disiplinë më të qartë fiskale. 
 
Në takimin që sot ajo e zhvilloi me të, znj. Osmani nënvizoi ndihmën e FMN-së që ky institucion ua ka ofruar institucioneve të vendit për mënyrën e planifikimit dhe të menaxhimit të buxhetit. 
 
Ajo shprehu gatishmërinë e saj dhe të Kuvendit të Republikës që ta vazhdojnë bashkëpunimin me FMN-në, për t`u siguruar që legjislacioni i miratuar në Kuvend, përveç tjerash, të përkrahet edhe nga FMN-ja. 
 
Znj. Osmani, më tej, nënvizoi se pret që gjatë hartimit dhe më pas miratimit të buxhetit të ri, përqendrimi kryesor i institucioneve tona të jetë investimi në kapitalin njerëzor.
 
“Buxhet pro-zhvillimor, i përqendruar në arsim, shëndetësi dhe rritje të punësimit, sidomos për gratë dhe të rinjtë - ky është synimi ynë”, tha dr. Osmani. 
 
Në anën tjetër, zëvendësshefi i Divizionit në departamentin Evropian, z. Di Bella, shprehu gatishmërinë e institucionit që e përfaqëson që të vazhdojë bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës dhe me institucionet e tjera të vendit. 
 
Ai e ritheksoi gatishmërinë e FMN-së që të vazhdojë jetë në dispozicion të institucioneve të Kosovës, sidomos tash, në prag të miratimit të buxhetit të vitit 2020.​