Kuvendi i Republikës së Kosovës

Konjufca pritet nga Kover: Kosova dhe Hungaria të thellojnë bashkëpunimin

24.09.2021

Gjatë qëndrimit në Budapest, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, u prit në një takim të veçantë nga homologu i tij hungarez, Laslzo Kover.
 
Të dy homologët folën lidhur me nevojën e forcimit të bashkëpunimit midis dy vendeve në fusha të interesit reciprok.
 
“Kosova dhe Hungaria tashmë kanë një histori suksesi të bashkëpunimit ndërparlamentar dhe kjo marrëdhënie e shkëlqyer duhet të thellohet më tej”, theksoi kryekuvendari Konjufca.
 
Kryekuvendarët Konjufca dhe Kover ndanë mendimin e përbashkët lidhur me domosdoshmërinë e vazhdimit të politikës së zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.
 
Në këtë kontekst, kreu i Kuvendit të Kosovës kërkoi nga homologu i tij mbështetjen e Hungarisë brenda BE-së për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.