Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi mbajti seancën plenare të radhës

24.11.2022

Kuvendi i Republikë së Kosovës, nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, mbajti sot seancën plenare të radhës.

Seanca filloj punimet me propozimin për plotësimin e rendit të ditës nga kryetari i komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, me shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, lidhur me atashimin e personelit nga Forcat e Sigurisë së Kosovës në Kompani të Këmbësorisë Roulment, në Ishujt Falklands.

Ligjvënësit votuan pro mocionit dhe u përfshi në rendin e ditës së kësaj seance. 

Meqë projektligji është i veçantë dhe i nënshtrohet vetëm një shqyrtimi, kryetari i komisionit për Çështje të Sigurisë, Bekë Berisha, tha se për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare lidhur me atashimin e FSK-së kërkohet që me shumicë të kualifikuar të deputetëve të pranishëm të miratohet shmangie nga afatet procedurale të parapara me rregulloren e Kuvendit.

Projektligjin e paraqiti dhe arsyetoi ministri i linjës, Armend Mehaj, i cili ndër të tjera theksoi se ky projektligj është si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe dhe Irlandës po ashtu, dhe se miratimi i të njëjtit do t’i hapë rrugë atashimit të personelit të FSK-së. 

Për rrjedhojë, projektligji u përkrah nga të gjitha grupet parlamentare dhe me 85 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi atë.

Tutje, ligjvënësit vazhduan me pikën për përzgjedhjen e dy kandidatëve për Gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Shqyrtim të Kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese, Adnan Hyseni, potencoi se për dy pozita, nga të gjithë kandidatët, pas vlerësimit të testimit me shkrim dhe intervistimit me gojë, Kuvendit i propozon pesë kandidatë të cilët janë renditur sipas rezultateve të poentimit të tyre.

Me këtë rast, duke u thirrur mbi shtatë principet e procedurës së votimit, të cilat u miratuan nga deputetët e pranishëm, për zbatim të procedurës, u formua komisioni për mbikëqyrje të të gjithë procesit. 

Si rezultat i procesit të votimit, Kuvendi i Kosovës me 64 vota zgjodhi z. Enver Peci gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese dhe i propozon Presidentes emërimin e tij. 

Ndërkaq, asnjëri nga kandidatët e tjerë nuk arriti të sigurojë numrin e votave të mjaftueshme. Për rrjedhojë, Kuvendi i rekomandon komisionit përkatës për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për publikimin e thirrjes për propozimin e një kandidati për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese në pajtim me kushtet që parasheh Kushtetua dhe Ligji për Gjykatën Kushtetuese.