Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi mban seancën e parë për sesionin pranveror

20.01.2022

Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, mbajti sot seancë plenare, me të cilën filloi edhe sesioni pranveror i punës. Në këtë seancë, Kuvendi zhvilloi debat parlamentar lidhur me ngritjen e çmimeve në Kosovë.

Punimet e seancës filluan me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe me pyetjet e deputetëve drejtuar anëtarëve të kabinetit qeveritar.

Pas konsumimit të kohës dedikuar këtyre dy pikave, nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike Kosovës u parashtrua kërkesa për plotësimin e rendit të ditës me një pikë shtesë.

Kështu, u kërkua mocion procedural në mënyrë që të debatohet lidhur me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Pas hedhjes në votim, me 31 vota për dhe 57 kundër, Kuvendi nuk e miratoi kërkesën e GP të PDK-së.

Seanca vijoi punimet me zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare, propozuar nga GP i VV-së dhe GP i PDK-së. Kështu, me 73 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi kërkesën e këtyre dy grupeve parlamantare.

Në vazhdim të seancës, deputetët debatuan lidhur me ngritjen e çmimeve.

Me këtë rast, propozuesi i këtij debati nga radhët e GP të AAK-së, deputeti Pal Lekaj, theksoi se debati i thirrur është i rëndësisë së madhe, sepse, siç tha ai, ka të bëjë me ngritjen enorme dhe të shpejtë të çmimeve. Sipas tij, rritja e vazhdueshme e çmimeve ka shkaktuar mos stabilitet ekonomik e shoqëror dhe ka rënduar jetën e qytetarëve.

“Ideja dhe nevoja e këtij debati është që të diskutohet për rritjen e çmimeve dhe mos stabilitetin ekonomik e shoqëror, që është shkaktuar si pasojë e rritjes së vazhdueshme e të përnjëhershme të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve në gjithë sektorët e ekonomisë”, theksoi deputeti Lekaj.

Në emër të GP të PDK-së, deputeti Ferat Shala theksoi se sot do duhej të flitej për arritje e suksese, por bazuar në rrethanat e krijuara në vend, tani, sipas tij, duhet të flitet për dështimet e vazhdueshme të qeverisë, për nivelin e lartë të ngritjes së çmimeve dhe vështirësitë tjera, duke i cilësuar, kështu, si ngritje të papërballueshme dhe në dëm të qytetarëve.

“Fatkeqësisht, po detyrohemi të flasim për keqmenaxhimin e pandërprerë të kësaj qeverisje të vendit, për ngritjen e çmimeve, për vështirësitë, për kaosin dhe pasigurinë e krijuar në gjithë segmentet e jetës shoqërore dhe ekonomike”, theksoi Shala.

Nga GP i Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Armend Muja, lidhur me debatin rreth ngritjes së çmimeve, theksoi se në diskutimet paraprake u thanë shumë të pavërteta, duke përmendur kështu, rritjen e çmimeve edhe në kohë të tjera. Kjo dukuri, sipas tij, nuk është e pazakonshme, sepse ndodh në kohë krizash dhe se vendi ynë me situata të tilla të rritjes së çmimeve është përballur edhe në të kaluarën dhe kjo vjen si rezultat i presionit inflacionar.

“Lidhur me çmimet, e vërteta është se gjatë nëntorit dhe dhjetorit ka pasur rritje të çmimeve, sepse presioni inflacionar ka shkuar 4 – 6 për qind. Mirëpo, mesatarisht gjatë vitit rritja e çmimeve ka qenë rreth 3.2 për qind. Kjo nuk është plotësisht e pazakonshme krahasuar me vitin 2019”, theksoi Muja.

Sa i përket rritjes së çmimeve përfaqësuesi i GP të LDK-së, deputeti Besian Mustafa, theksoi se qeveria po i kushton pak rëndësi kësaj çështjeje dhe se realiteti i krijuar vazhdimisht po e rëndon kuletën e qytetarëve të Kosovës. Sipas tij, nëse është rritur numri i asistencës sociale, siç pretendohet, nuk është lajm i mirë, sepse, siç tha ai, më shumë banorë kanë nevojë për asistencë sociale.

“Kemi një rritje enorme të çmimeve të energjisë dhe të produkteve bazë, ndërsa, qytetarët kanë rroga të njëjta. Nuk ka qytetar që e përballon këtë rritje. Qytetarët e Kosovës çdo ditë e më shumë e ndjejnë vetën gjithnjë më të varfër”, theksoi Mustafa.

Deputetja Albana Bytyqi, nga GP i AAK-së tha se rritja e çmimeve, duke përfshirë këtu edhe produktet bazë, është barrë e madhe që po u ngarkohet qytetarëve të Kosovës. Ajo po ashtu theksoi se rritja e çmimeve në muajt e fundit është bërë trend i pandalshëm dhe se qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të luftuar rritjen e çmimeve.

Nga GP Multietnik, deputeti Fridon Lala në fjalën e tij theksoi se gjendja e krijuar rëndon jetën e qytetarëve, me theks të veçantë jetën e komunitetit egjiptian në Kosovës. Ai, po ashtu theksoi se ky komunitet nuk mund ta përballojë ngritjen e produkteve bazë e as të energjisë dhe se me këto ngritje jeta e qytetarëve do të ngarkohet tej mase.

“Mesatarja e të ardhurave ditore për një familje, e cila jeton në kushte skajshmërisht të varfra sipas raporteve të Bankës Botërore është vetëm 0.60 centë në ditë. Kjo rritje e çmimeve është enorme dhe e papërballueshme, sidomos kur shohim të dhënat se rritje më të lartë kanë pësuar produktet bazë”, theksoi Lala.

Nga ana e Qeverisë, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, theksoi se është evidente që në muajt e fundit janë vërejtur rritje të çmimeve në përgjithësi, në veçanti për produktet e konsumit. Sipas saj, kjo gjendje ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimeve në tregun e jashtëm, përfshirë këtu lëndët djegëse, naftës dhe transportit.

“Rritjet e çmimeve të lëndëve djegëse dhe naftës janë luhatur kohë pas kohe dhe rrjedhimisht kanë ndikuar me automatizëm në rritjen e çmimeve, sidomos në atë të transportit. Kjo ka reflektuar edhe në tregun e Kosovës, duke e ditur se jemi me import të lartë”, theksoi Hajdari.

Ajo po ashtu shtoi se Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme për prodhimin e miellit, andaj, sipas saj, është hapur kufiri për importim dhe për këtë shkak janë rritur edhe çmimet e produkteve të miellit.

Në seancë fjalën e mori edhe ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili diskutimin e sotëm e konsideroi të kotë, ngase, sipas tij, deputetët opozitarë nuk kanë një përgjigje konkrete se cilat vendime të qeverisë ndikojnë në rritjen e çmimeve.

“Çështja tjetër ishte edhe puna e çmimit të rrymës. Nëse arrijmë si qytetarë të kursejmë ose ta zvogëlojmë nevojën për import, e shpresoj që me hyrjen e bllokut të dytë të Kosovës B do të zvogëlohet nevoja për import, do ta kemi shumë më të lehtë menaxhimin dhe shpresoj që do të ketë sa më pak nevojë që të ketë ndërhyrje me subvencion dhe të lehtësohet barra e qytetarëve. Të tjerat, siç e dëgjuam gjatë tërë debatit këtu, janë vetëm fjalime sa për ta akuzuar qeverinë për gjëra që janë jashtë kontrollit të çdo qeverie”, theksoi ministri Murati.

Në fund, propozuesi i debatit, deputeti Pal Lekaj, para deputetëve paraqiti përmbajtjen e rezolutës, ku ndër tjera thuhej që Kuvendi i Republikës së Kosovës i rekomandon Qeverisë dhe ZRRE-së, të mos i miratojnë tarifat e propozuara për ngritje të çmimit të energjisë. Po ashtu rekomandohej që Qeveria e Kosovës të nxjerrë një masë të përhershme, e cila zbutë vështirësitë ekonomike, në pas Qeveria të destinojë mjete shtesë buxhetore për financimin dhe subvencionimin e bujqve etj.

Rezoluta e propozuar nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve për miratim.

Kështu, me 22 vota për, 49 abstenime dhe asnjë kundër, nuk kaloi rezoluta e propozuar.

Seanca vazhdon punimet nesër në ora 10:00, me pikat e mbetura të rendit të ditës.