Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi vazhdoi punimet e seancës plenare

03.08.2021

Ka vazhduar edhe sot në Kuvend debati parlamentar lidhur me punën njëqind ditore të Qeverisë së Republikës së Kosovës. 

Në seancën e drejtuar nga kryekuvendari Glauk Konjufca, deputetë diskutuan gjerësisht lidhur me punën që ekzekutivi i vendit ka bërë gjatë kësaj periudhe kohore. 

Në varësi të pozicionit politik, deputetët nga pozita dhe opozita paraqitën qëndrime të ndryshme lidhur me aspekte të ndryshme të punës së qeverisë. 

Përderisa ligjvënës nga pozita vlerësuan pozitivisht angazhimin dhe punën e ekzekutivit gjatë 100 ditëve të para të funksionimit të tij, deputetë opozitarë folën me tone kritike lidhur me të.  

Pas ezaurimit të kësaj pike, Kuvendi kaloi në pikën e fundit të rendit të ditës, shqyrtimin e raportit me rekomandime lidhur me gjendjen në sektorin e ujërave.

Raporti, të cilin e prezantuan kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala dhe anëtari i këtij komisioni Armend Muja, u miratua nga ana e Kuvendit.