Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere

03.12.2021

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, kryesuar nga kryetari Armend Muja mbajti sot mbledhjen e radhës.

Në këtë mbledhje u shqyrtua Projektligji nr.08/L-066 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Bazuar në vendimin e Kuvendit të Kosovës të datës 25 nëntor 2021 lidhur me shqyrtimin e projektligjit mbi ndarjet buxhetrore për Buxhetin e Kosovës, kryetari Muja ka njoftuar anëtarët e Komisionit se fillimisht afati për procedimin e amendamenteve për projektligjin nga deputetët ka qenë data 3 dhjetor 2021 deri në orën 16:00.

Pas trajtimit të këtyre amendamenteve dhe kërkesave buxhetore, deputeti Muja tha se me datën 22 dhjetor 2021 në orën 10:00 mbahet seanca për shqyrtimin në lexim të dytë kur pritet edhe miratimi i këtij ligji. Muja në fund bëri me dije se Komisioni ende nuk e di se sa amandamente kanë ardhur deri në orën 16:00 nga subjektet parlamentare.

Në mbledhjen e sotme në të cilën ishte i pranishëm edhe ministri i Financave Hekuran Murati, u diskutua për amandamentet për pjesën tekstuale, ndërsa ato tabelare u lanë që të diskutohen në mbledhjen e radhës që pritet të mbahet javën e ardhshme.

Pas diskutimit pjesa tekstuale e Projektligjit nr.08/L-066 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, u miratua me shumicën e votave të anëtarëve të Komisionit.

Projektligji mbi ndarjet buxhetore për vitin 2022 në leximin e parë u votua në seancën plenare më 25 nëntor me 65 vota për.

Buxheti për vitin e ardhshëm është planifikuar të jetë 2 miliardë e 746 milionë euro.