Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion …

19.01.2022

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i kryesuar nga Adnan Rrustemi, kryetar, mbajti mbledhjen e rregullt.

Fillimisht, në këtë mbledhje, u miratua raporti vjetor i punës për vitin 2021 i këtij komisioni.

Më pas, Albina Reçica, udhëheqëse e Njësitit të verifikimit të dokumenteve, e prezantoi planin vjetor të performancës për Agjencinë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës për vitin 2022.

Në këtë plan, ajo tha se janë paraparë aktivitetet, por edhe sfidat gjatë realizimit të tyre.

Si sfidë, ajo përmendi kthimin e dokumenteve kadastrale, të cilat i ka grabitur Serbia.

Pas debatit, ky plan, u miratua nga Komisioni për Legjislacion Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Po ashtu, Beshir Islami, kryesues i Këshillit për Ndihmë Juridike Falas, dhe Flutura Berbati – Zena, udhëheqese e Divizionit për Ofrimin e Ndihmës Juridike Falas, prezantuan planin vjetor të performancës së Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2022, duke e ngritur si shqetësim mungesën e buxhetit, si dhe të burimeve njerëzore.

Berbati – Zena, foli edhe për synimet që ka kjo agjenci për shtrirjen në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Ndër tjera, ajo tha se me këtë plan, është paraparë edhe vetëdijesimi në numër më të madh të qytetarëve për mundësinë e ofrimit të ndihmës juridike falas.

Po ashtu, edhe ky plan u miratua nga Komisioni për Legjislacion Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Në vazhdim, u miratua edhe raporti me amendamente i komisionit funksional në Projektligjin nr.08/L-011 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 04/L-061 për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e Drejta Banesore.

Në këtë mbledhje, deputeti Driton Selmanaj, në emër të grupeve punuese paraqiti raportet e grupit punues në lidhje me zbatimin e mbikëqyrjes së Ligjit nr. Ligjit 06/L – 057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, si dhe të grupit punues në lidhje me zbatimin e mbikëqyrjes së Ligjit nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore. 

Selmanaj, përmendi si rekomandim se këto dy ligje duhet të plotësohen dhe të ndryshohen.

Më pas, raportet për këto dy ligje u miratuan nga Komisioni për Legjislacion Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.