Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vizita e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut

24.11.2022

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Republikës së Kosovës, me ftesë të kryetarit të Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Antonio Miloshoski, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Kuvendin dhe Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Delegacioni i KPJD-së,  në përbërje nga Haki Abazi, kryetar i komisionit, dhe anëtarët , Yllza Hoti, Fitore Pacolli dhe Time Kadrijaj, me të filluar vizitën zyrtare kanë takuar kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut z. Talat Xhaferi.  

Gjatë këtij takimi, delegacioni falënderoi kryetarin Xhaferi për ndihmën që Maqedonia i ka ofruar Kosovës para dhe gjatë luftës, sidomos me strehimin e refugjatëve gjatë luftës në Kosovë. Po ashtu gjatë këtij takimi u diskutua për marrëdhëniet në mes të dy shteteve, për të cilat u tha se ka hapësirë për përmirësim të mëtejmë. Në këtë takim u diskutua edhe për anëtarësimin e Kosovës dhe Maqedonisë në strukturat evropiane e në NATO. 

Komisionin i Kuvendit të Kosovës,  u prit edhe  nga komisioni homolog i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. 

Me këtë rast u diskutuan çështje të ndryshme, por mund të veçohet çështja e integrimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor në strukturat e bashkimit evropian dhe në NATO. U vlerësua se duhet të mirëmbahet siguria e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe të evitohet çdo tendencë që do të mund t'a përshkallëzojë rajonit. situatën e sigurisë. 

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës kërkoi nga deputetët e komisionit homolog  që ta ndihmojnë Kosovën në nismat e saja për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, si dhe të lobojnë tek ato vende ku kanë miqësi, për njohjen e Kosovës. 

Siguria e rajonit ishte temë  kyqe në diskutimet ndërmjet të dyja komisioneve,  sidomos pas gjendjes së krijuar në Ukrainë. Pjesëmarrja e Kosovës në programet e NATO-së si dhe anëtarësimi i plotë në këtë organizatë të sigurisë u vlerësua si i domosdoshëm për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. 

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës në takim me komisionin homolog kërkoi, po ashtu,  që të realizohet ekstradimi i të burgosurve në Maqedoni që kanë shtetësi kosovare, si shenjë e mirëbesimit dhe bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

Në fund të takimit palët u dakorduan për shtimin e komunikimit në mes të dy kuvendeve, përkatësisht në mes të dy komisioneve. 

Delegacioni në vazhdim të vizitës u prit në një drekë pune nga z. Afrim Gashi, kryetar i grupit parlamentar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim me Kuvendin e Republikës së Kosovës. 

Komisioni gjatë vizitës zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut u prit  në takim edhe nga z. Xhemail Çupi, ministër pa portofol, përgjegjës për diasporën. Komisioni u njoftua nga ministri Çupi për gjendjen dhe planet që Qeveria e RMV i ka për diasporën.

Delegacioni i KPJD e përmbylli vizitën zyrtare në RMV me një vizitë në Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, me ç ‘rast u prit nga drejtori i muzeut z. Zait Aliu dhe Konsulli i Përgjithshëm në Strugë z. Agim Krasniqi.