Kuvendi i Republikës së Kosovës

Seanca plenare e Kuvendit

09.12.2022
Kuvendi i Republikës së Kosovës, mbajti sot seancën plenare të radhës, të drejtuar fillimisht nga nënkryetarja Saranda Bogujevci.
 
Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, seanca, e drejtuar nga kryetari Glauk Konjufca, kaloi në shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Zbatimin e Sanksioneve Financiare Ndërkombëtare të Shenjëstruara dhe Projektligjit për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore. 
 
Për këto projektligje ishin propozuar amendamente, të cilat u miratuan dhe të dy projektligjet me shumicë votash u miratuan gjithashtu në lexim të dytë.
 
Pas miratimit të dy projektligjeve u kalua në formimin e Komisionit Ad-hoc për hartimin e Projektligjit për zhvillimin e procesit të vlerësimit kalimtar, i cili u formua pas deklarimit të grupeve parlamentare dhe propozimeve përkatëse. 
 
Kuvendi vijoi punimet me shqyrtimin e parë të Projektligjit për zyrtarët publikë, të cilin para deputetëve e paraqiti dhe arsyetoi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svelça. 
 
Ministri Svelça theksoi ndër të tjera se ky projektligj është pjesë e reformës së përgjithshme dhe një nga projektligjet më të rëndësishëm, andaj kërkoi nga deputetët mbështetjen për miratim. 
 
Përfaqësues të GP të Vetëvendosjes, duke i dhënë mbështetje projektligjit, e konsideruan atë si mundësi për reformë, për t’i hapur rrugë brezit të ri, disporës dhe kryesisht pëfaqësimit të grave, si mundësi punësimi në administratë, ngase, sic u vlerësua, në pozitat e mesme dhe të ulëta menaxheriale përfaqësimi i grave është shumë i ulët. 
 
Kryetarë dhe deputetë të tjerë të grupeve parlamentare në opozitë, PDK, LDK dhe AAK, kundërshtuan miratimin e këtij projektligji, duke kërkuar tërheqjen e tij. Ata vlerësuan se projektligji përmban shumë shkelje ligjore dhe kushtetuese. 
 
Pas shterjes së debatit, me 61 vota për Kuvendi miratoi në shqyrtim të parë projektligjin, duke i hapur rrugë shqyrtimit të tij në komisionet parlamentare. 
 
Sipas rendit të ditës, Kuvendi procedoi me shqyrtimin e parë të Projektligjit për pagat në sektorin publik, të cilin po ashtu para Kuvendit e prezantoi ministri Xhelal Sveçla.
 
Gjatë arsyetimit të projektligjit, ministri Sveçla theksoi se administrata publike dhe reforma e saj janë prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës. 
 
Ai tha se procesi i reformës është i vështirë dhe do të kthehet në fryt të një bashkëpunimi të ngushtë institucional, me qëllimin për të rritur efektivitetin në sektorin publik. 
 
Fjala e tij u pasua me paraqitjen e qëndrimeve nga grupet parlamentare.  
 
Pothuajse të gjitha grupet parlamentare ishin në parim për ta mbështetur këtë projektligj, mirëpo gjatë diskutimeve u kërkuan disa ndryshime dhe plotësime për sektorë të ndryshëm. 
 
Edhe ky projektligj mori mbështetjen e mjaftueshme të deputetëve dhe kaloi në fazën e shqyrtimit e të amendamentimit në komisionet përkatëse.