Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, u mblodh sot në seancën plenare të ndërprerë gjatës javës së kaluar.
Pikë qendrore e kësaj seance ishte Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023, për të cilin u zhvillua një debat i gjerë midis deputetëve dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar.
Në cilësi të iniciuesit të këtij debati, deputetja Blerta Deliu Kodra nga GP i PDK-së paraqiti qëndrimin e grupit parlamentar që përfaqëson, duke i bërë nga ky këndvështrim një paraqitje situatës aktuale në Kosovë. Deputetja Deliu Kodra tha se Raporti i Komisionit Evropian e gjen Kosovën nën sanksione, me, siç tha ajo, 300 milionë euro vlerë të projekteve të bllokuara nga BE-ja për shkak të tyre.
Po ashtu deputetja Deliu Kodra adresoi kritika edhe për siç tha ajo, mos angazhimin e qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa u ndal edhe të gjendja socio-ekonomike të qytetarëve të Kosovës dhe obligimet e tyre ndaj bankave.
Në emër të GP të Vetëvendosjes, deputetja Fjolla Ujkani e konsideroi raportin e sivjetmë për Kosovën si më pozitivin që Kosova ka pranuar ndonjëherë nga Komisioni Evropian. Sipas saj, raporti adreson progresin që vendi ynë ka bërë në shumë fusha, sidomos ato që kanë të bëjnë me ekonominë, tregun e lirë dhe përafrimin me standardet e BE-së. Prandaj, siç tha ajo, mund të thuhet se Kosova ka përmbushur shumicën e kritereve dhe reformave të kërkuara. Ujkani shtoi se ky raport kërkon një shqyrtim kritik, sidomos, siç tha ajo, në dritën e përpjekjes së opozitës për ta përdorur atë si mjet për të minuar arritjet e qeverisë.
Nga GP i LDK-së, deputetja Rrezarta Krasniqi tha se gjendja në Kosovë është edhe më e rendë se sa ajo që është prezantuar në raport. Sipas saj, Kosova vazhdon të mos angazhohet në të ardhmen evropiane. Deputetja Krasniqi tha se Kosova vazhdon të jetë nën masa të Bashkimit Evropian, përderisa fajësoi institucionet e vendit se nuk po bëjnë veprime konkrete për largimin e tyre, të cilat, siç tha ajo, përfshijnë një shumë të madhe monetare dhe ndikojnë drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve.
Kryetari i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023 e konsideroi shqetësues dhe më të dobëtin që një qeveri e Kosovës e ka marrë ndonjëherë. Tahiri u ndal te vlerësimi që raporti i bën progresit në Kosovë dhe përmendi në shifra konotacionin në të cilin apostrofohet ky term. Po ashtu deputeti Tahiri foli edhe për vlerësimin që bëhet në raport me administratën publike në Kosovë.
Në emër të qeverisë fjalën e mori zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili në adresimin e tij para Kuvendit dhe në përgjigje të diskutimeve të deputetëve, paraqiti një pasqyrë të angazhimeve të ekzekutivit të Kosovës gjatë vitit të kaluar dhe gjendjes në të cilën është aktualisht vendi ynë. Ai tha se raporti përfshin zhvillimet nga muaji korrik i vitit të kaluar deri në muajin qershor të këtij viti e që, sipas tij, është raporti i parë pas aplikimit për anëtarësim të Kosovës në BE dhe pas aplikimit për liberalizim të vizave nga një janari të vitit 2024.
Bislimi tha se agjenda e reformave evropiane nga qeveria është trajtuar me seriozitet dhe angazhimi në rrugën drejt BE-së është gjithnjë e më i madh, përderisa mobilizimi për të kapur hapin e procesit të integrimit evropian pas stagnimit disavjeçarë po jep frytet e veta. Ai tha se për këtë qeveria e mbështet planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor, teksa shtoi se masat e vendosura nga BE-ja janë të rëndësishme që të hiqen sa më shpejt nga Komisioni Evropian.
“Masat e Komisionit Evropian karshi Kosovës janë ende në fuqi dhe besojmë që ka një mundësi që prezenca e këtyre masave ka pasur ndikim edhe në vlerësimin ndaj Kosovës. Masat që janë në fuqi bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE, sidomos edhe me iniciativat e fundit. Kosova ka bërë hapat e duhur, prandaj është shumë e rëndësishme që sa më shpejt t’i tërheqë këto masa që janë të kthyeshme dhe pa pasoja, në mënyrë që fokusi të kthehet në avancimin e integrimit evropian të vendit tonë”, tha zëvendëskryeministri Bislimi.
Numri dy i qeverisë foli edhe për pakon e BE-së për zgjerim, duke përmendur Ukrainën, Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Bosnjën, që, sipas tij, kjo është me rëndësi strategjike në përshpejtimin e zgjerimit të BE-së dhe në ofrimin e sigurisë, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.
“Procesi i anëtarësimit në BE duhet të jetë në plotni i bazuar në meritokraci. Kosova beson në të ardhmen e vet evropiane dhe, si shembull i demokracisë në rajon, duhet t’i jepet mundësia që këtë ta dëshmojë”, deklaroi Bislimi.
Debati lidhur me Raportin e Komisionit Evropian vijoi me diskutime të shumta të deputetëve, të cilët në varësi të përcaktimeve të tyre politike orientuan diskutimet përkitazi me vlerësimin që ky raport i bën gjendjes në Kosovë. Po ashtu edhe anëtarë të kabinetit qeveritar paraqitën qëndrimet e tyre lidhur me vlerësimin që bëhet në resorët e ministrive që ata drejtojnë.