Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione

06.11.2024

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, priti sot në takim anëtarët e Komisionit të Pavarur tё Mediave (KPM), lidhur me promovimin e dhunës ndaj grave nё mediat audio vizive- rasti i “Klan Kosovës”. 

Takimi fillimisht u kryesua nga zëvëndëskryetarja e parë e komisionit, Arjeta Fejza, e cila pasi kërkoi mirëkuptim nga anëtarët e KPM-së për thirrjen urgjente të këtij takimi, tha se rasti i fundit kërkon trajtim urgjent dhe serioz. 

Ajo tha se ky rast përbënë precedan për promovimin e dhunës ndaj grave në televizionet e Kosovës. 

Duke u thirrë edhe në reagimin mekanizmave të tjerë relevantë, nënkryetarja Fejza kërkoi nga përfaqësuesit e KPM-së që në detaje të tregojnë për hapat që duhen dhe mund të merrën për këtë rast. 

Në cilësinë e kryetarit të KPM-së, Jeton Mehmeti, referuar formatit të “Big Brother”, tha se deri më tani, institucioni që drejton ka pranuar disa ankesa të parashtruara nga qytetarë dhe organizata, të cilat merrën me të drejtat e njeriut. 

Mehmti tha se nëpërmjet ankesave, pretendohet se ky “show” nuk është aspak edukativ, dhe se në masë të madhe po bëhet keqperdorimi edhe i intelegjencës artificiale. 

Ankesat e fundit, shtoi ai kanë qenë rreth hapësirës që i është dhënë një individi për të qenë pjesë e këtij formati, edhe pse ndaj tij ka pasur masë penale për dhunë në familje.

Meqë ankesat janë bërë së fundmi, Mehmeti tha se deri më tani ende nuk kanë marrë asnjë masë konkrete. 

Tutje, Mehmetaj tha se për shkakun se emisionet si “Big Brother” janë zhaner pa program të caktuar, KPM-ja ka kërkuar nga të gjitha televizionet që transmetojnë “show” të tillë t’i kodojnë ato.

Më pas, takimin e drejtoi kryetarja e komisionit, Duda Balje, e cila, duke folur për dhunën ndaj grave dhe promovimin e saj në mediat audio-vizive, me theks rasti i “Klan Kosovës”, dënoi ashpër një rast të tillë, duke theksuar se “ne jemi shtet demokratik dhe të tilla raste duhet ndaluar dhe nuk duhet promovuar asessi”.

Për këtë rast diskutuan edhe anëtarët e tjerë të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione dhe anëtarët e KPM-së.

Nga anëtarët e komisionit parlamentar u potencua se KMP-ja dhe organet tjera gjegjëse duhet të veprojnë në përputhje të plotë me ligjet dhe rregulloret në fuqi, si dhe me Konventën e Stambollit, në mënyrë që në asnjë rrethanë të mos relativizohet dhe promovohet dhuna ndaj grave.

Nga përfaqësuesit e KPM-së u vu në pah fakti se personi që është bërë pjesë e formatit të lartëcekur, edhe pse ka pasur masë penale për dhunë në familje, nuk është në juridiksionin e KMP-së të vendosë se kush mund të jetë pjesë e formateve të tilla. 

Sipas tyre, KMP-ja mbanë përgjegjës televizionet vetëm për përmbajtjen që transmetojnë, por jo për edhe personat që janë ose mund të jenë pjesë e këtyre emisioneve.

Megjithatë, ata thanë se të gjitha ankesa do të trajtohen me seriozitet dhe përkushtim maksimal nga KPM-ja dhe ekspertë profesional, në mënyrë që vendimet të jenë në shërbim të qytetarëve.