Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga punimet e Kuvendit

05.12.2024

Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, vijoi sot punimet me pikat e papërfunduara në seancat e kaluara, përkatësisht të datave 31 tetor dhe 4 nëntor.

Fillimisht, deputetët nuk e miratuan propozimin për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Televizionit të Kosovës, për të vijuar me përzgjedhjen, me votim të fshehtë, të tre drejtorëve të Bordit të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, në përbërje: Gëzim Tosuni, i cili njëherësh u zgjodh kryesues i bordit, si dhe Rejhane Zylfijaj e Lumnije Zeka, anëtare. 
 
Deputetët bën emërimin e Shkurta Bajgorës anëtare të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Agjencisë së Kosovës për Akreditim, nga radhët e studentëve, me mandat 2 vjeçar. Propozimi u paraqit nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, autorizuar nga ministrja Arbërie Nagavci.

Në mungesë të prezencës dhe votave të mjaftueshme për t’i votuar pikat 11,12 dhe 13 të rendit të ditës, të njëjtat u bartën në një nga seancat e radhës.

Kuvendi vijoi punimet me shqyrtimin e parë të disa projektligjeve. Kësisoj, pas shqyrtimit dhe diskutimeve Kuvendi miratoi në shqyrtim të parë: Projektligjin për ndalimin e përdorimit të pijeve energjike për personat e moshës nën 18 vjeç, Projektligjin për banim social dhe të përballueshëm, të prezantuar para deputetëve nga ministri Liburn Aliu, Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, të prezantuar dhe arsyetuar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të prezantuar dhe arsyetuar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Projektligjin për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, të cilin e prezantoi ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. 

Për projektligjet e sipërpërmendura, me përjashtim të Projektligjit për ndalimin e përdorimit të pijeve energjike nën moshën 18 vjeç dhe atij për Dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, për të tjerat projektligje u parashtruan mocione procedurale për shmangie nga afatet e përcaktuara. 

Ndërkohë Kuvendi u mblodh në seancë të re, për të shqyrtuar në lexim të dytë katër projektligje, pasi të njëjtat kaluan proceduralisht nëpër komisionet përkatëse parlamentare. 

Kështu, Kuvendi miratoi në shqyrtim të dytë Projektligjin për banim social dhe të përballueshëm, Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim.