Kuvendi i Republikës së Kosovës

Seancë e përbashkët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

20.12.2024

Ligjvënësit e të dy Kuvendeve miratuan njëzëri deklaratën e përbashkët, të cilën e lexoi kryetari Glauk Konjufca

Deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë u mblodhën sot në Prishtinë në seancën e dytë të përbashkët midis dy Kuvendeve, në vazhdën e bashkëpunimit të ngushtë e të koordinimit të agjendave të përbashkëta kombëtare. 

Me praninë e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrave Albin Kurti dhe Edi Rama, anëtarëve të tjerë të kabineteve qeveritare të të dyja shteteve, si dhe të ftuarve të tjerë, mbledhja filloi me intonimin e Himnit Shtetëror të Republikës së Kosovës dhe Himnit Kombëtar Shqiptar.

Bashkëkryesuesit e kësaj mbledhjeje, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, në fjalimet e tyre përshëndetëse theksuan se kjo seancë vjen në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë që të dy Kuvendet kanë sendërtuar midis tyre e të forcimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi mbi bazën e përcaktimeve strategjike, përballë sfidave të reja dhe objektivave euroatlantike.  

Kryetari Konjufca seancën e sotme cilësoi historike, ngase, siç tha ai, kjo është seanca e parë e përbashkët në Kuvendin e Kosovës, e cila mbledhë përfaqësuesit e të dy republikave dhe është vazhdim i një tradite të re të bashkëpunimit ndërparlamentar.

Kryetari i Kuvendit shtoi se bashkimi i Kuvendeve të të dyja shteteve është më shumë se simbolikë dhe se sipas tij kjo seancë dëshmon qartë unitetin kombëtar përballë sfidave politike dhe gjeopolitike.

“Prandaj, ky përbashkim i yni sot në këtë seancë të dy Kuvendeve tona përbën më shumë se simbolikën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona. Kjo seancë duhet të shihet si dëshmi që Kosova dhe Shqipëria janë me njëra-tjetrën, në çdo rrethanë dhe pa asnjë kusht, duke qenë se ne nuk mund të përfaqësojmë tjetër gjë përveç se interesin kombëtar të kombit, i cili për ne është i përbashkët”, theksoi kryetari Konjufca. 

Duke folur për bashkëpunimin e vazhdueshëm të të dyja Kuvendeve dhe duke falënderuar Shqipërinë për mbështetjen e zëshme në mbrojtjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, kreu i Kuvendit tha se përveç përfaqësimit të të njëjtin komb, Kosova dhe Shqipëria ndajnë synime të njëjta euroatlantike.

Kryetari Konjufca uroi qytetarët dhe përfaqësuesit e të dyja shteteve për kultivimin e marrëdhënieve të mira dhe vazhdimin e fuqizimit të tyre, për përparim të mëtejmë të kombit tonë.

Nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, kryekuvendarja Elisa Spiropali theksoi se Kosovën dhe Shqipërinë i lidhë një gjak, një gjuhë, një kulturë dhe historia e përbashkët. Për rrjedhojë, kryetarja Spiropali tha se mbledhje si kjo diktojnë energji të reja bashkëpunimi ndërinstitucional, ku mund të diskutohen projeksionet e përbashkëta për të ardhmen e kombit tonë, gjë që sipas saj, është prioritet i institucionit që ajo përfaqëson. 

Kryetarja Spiropali u shpreh se Shqipëria ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështes Kosovën në rrugën e saj për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë dhe se fuqishëm lobon te vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që sa më parë ta pranojnë këtë fakt të pamohueshëm dhe të njohur juridikisht.  

Më pas, ligjvënësve iu drejtua presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu. 

Në adresimin e saj presidentja e Kosovës theksoi se kjo seancë e përbashkët pasqyron vizionin e qartë të të dyja vendeve, për angazhim të pakompromis për liri dhe drejtësi. 

Presidentja tha se qëllimi i përbashkët kërkon ambicie më të mëdha dhe përpjekje të palodhshme, sepse, sipas saj, një Shqipëri më e fortë do të thotë një Kosovë e suksesshme. 

Duke u thirrur në lidhje të lavdishme historike, Presidentja Osmani theksoi se unifikimi i politikës sonë të jashtme dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve pavarësisht se ku ndodhen, mund t’u bëjë ballë sfidave dhe pengesave drejt anëtarësimit të vendeve në BE. 

Mbledhja e përbashkët e të dy Kuvendeve vazhdoi me adresimin e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, i cili shprehu konsideratën e tij për bashkëpunimin e të dy institucioneve legjislative, duke shtuar se objektivat e përbashkëta të Kosovës e të Shqipërisë janë integrimi në BE dhe NATO.

Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria vazhdon angazhimin e saj për njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së dhe se sipas tij, të dy shtetet dorë për dorë duhet të bindin edhe skeptikët më të mëdhenj për njohjen e Kosovës si shtet sovran.

Kryeministri i Shqipërisë në paraqitjen e tij foli dhe për Gjykatën Speciale, e cila, sipas tij, me një proces të parregullt ligjor dhe me norma nën standarde të drejtësisë së vendeve që e sponsorizojnë vet atë, po gjykon historinë që lindi Republikën e Kosovës.

Nga ana e Qeverisë së Kosovës, i pari i saj, kryeministri Albin Kurti tha se përfaqësuesit e të dy parlamenteve përfaqësojnë qytetarë të të dy shteteve dhe të të njëjtit komb. 

Duke përmendur disa nga të arriturat midis dy shteteve, kryeministri Kurti u shpreh se rezultatet e këtij bashkëpunimi janë të prekshme për qytetarët dhe nxitëse për bashkëpunim të mëtutjeshëm.

I pari i ekzekutivit shtoi se Kosova po avancon në rrugën e anëtarësimit për në BE dhe në NATO dhe se sipas tij, Kosova dhe Shqipëria, të dyja, janë mbështetëse të proceseve integruese dhe euroatlantike.

Ai tha se të dy shtetet besojnë në të drejta të njeriut dhe se të njëjtat janë kontribuuese të paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. 

Pas fjalimeve të krerëve institucionalë, seanca vijoi punimet me diskutimet e përfaqësuesve të grupeve parlamentare. Kështu, Mesila Doda, kryetare e Grupit Parlamentar Demokraci dhe Integrim në Kuvendin e Shqipërisë, theksoi se nevoja e Shqipërisë dhe Kosovës për njëra-tjetrën është më e madhe se sa trauma e ndarjes së trojeve shqiptare të para një shekulli. Ajo shtoi se qëllimi kyç i të dy shteteve është nisja e një historie të re, me drejtim nga e ardhmja. 

Më pas, bashkëkryesuesja e seancës, znj. Spiropali ia dha fjalën përfaqësuesit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputetit Ramush Haradinaj, i cili theksoi se ndjenja e të qenit bashkë nga të dy Kuvendet, është shumë e mirë, por, siç tha ai, aktualisht nevoja për ndihmë drejt anëtarësimit në NATO, përmes planit aksional të anëtarësimit, është më e madhe dhe se këtë ndihmë e mbështetje të pakusht Kosova e pret nga Shqipëria. 

Në vazhdim, nga foltorja seancës iu drejtua anëtari i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim në Kuvendin e Shqipërisë, Fatmir Mediu, i cili shprehu krenarinë për bashkimin e përfaqësuesve të të dyja vendeve në një sallë, duke u përulur përballë heronjve të Kosovës, në veçanti Adem Jasharit e Ibrahim Rugovës, si dhe përulje për ata të cilët, siç tha ai, padrejtësisht gjykohen në Hagë.

Kryetari i Grupit Parlamentar Multietnik në Kuvendin e Kosovës, Enis Kervan, shprehu besimin e plotë se Kosova dhe Shqipëria do të punojnë bashkë si partnerë, duke kontribuar në ndërtimin e një të ardhmeje ku paqja e mirëqenia do të jenë shtyllat kryesore të të gjithë rajonit.

Nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, foli kryetari i Grupi Parlamentar, Arben Gashi, i cili ndër të tjera tha se sot Kosova dhe Shqipëria janë ulur bashkë, nga se zëri i qytetarëve të të dyja shteteve kërkon që të punohet bashkë. Ai tha se Kosova dhe Shqipëria kanë të njëjtën histori, të njëjtën kulturë, të njëjtën gjuhë, miqtë e përbashkët, të njëjtët figura historike, prandaj, siç theksoi ai, edhe në punë e angazhime duhet të jenë bashkë.

Gazment Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, theksoi se takimi i sotëm reflekton ndjenjë të lartë krenarie e përgjegjësie, me një diskutim ndërmjet vëllezërve dhe motrave, të cilët, siç tha ai, përveç historisë dhe kulturës së përbashkët, kanë një ëndërr e cila kalon kufijtë formalë në mes të dy vendeve. 

Rrjedha e fjalimeve vazhdoi me nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili theksoi se seanca e sotme është ngjarje e rëndësisë së veçantë, sepse, siç ai u shpreh, Shqipëria për Kosovën është më shumë se sa një partner i natyrshëm strategjik dhe se të dy republikat janë zgjerim dhe zgjatim i natyrshëm i njëra-tjetrës. Nënkryetari Hoxhaj tha se ky takim është vazhdimësi e takimit të para dhjetë viteve, në qytetin e Prizrenit, të të dyja qeverive, qëllimi i së cilit, sipas tij, ishte shpallja e partneritetit strategjik, i cili vazhdon sot.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, Niko Peleshi, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës tha se Shqipëria e Kosova kanë bashkëpunim vëllazëror, sepse janë njëlloj, si në histori e kulturë, ashtu edhe në temperament politik, gjë që, siç tha ai, na bën të jemi vëllezër të një shtëpie të përbashkët, e cila e arsyeton mbështetjen e Shqipërisë për aspiratat e Kosovës për liri, pavarësi dhe integrim ndërkombëtar.

Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, duke iu drejtuar parlamentarëve të Kosovës e të Shqipërisë, tha se është nder e privilegj që të dy Kuvendet të jenë prezentë në një sallë, që për gjeneratat para nesh ishte një çmim i cili shkoi deri në flijim. Sot, shtoi Kusari Lila, po e përjetojmë këtë realitet, i cili, sipas saj, është detyrë edhe për gjeneratat pasardhëse, me qëllim që ky komunikim të avancojë në integrim të përbashkët dhe projekte të cilat do të përfshijnë jo vetëm zonën e shqiptarëve, por gjithë Ballkanin Perëndimor e më gjerë.

Pas diskutimeve ligjvënësit e të dy Kuvendeve miratuan njëzëri deklaratën e përbashkët, të cilën e lexoi kryetari Glauk Konjufca. 

Në fjalën e tij kryetari Konjufca tha se qëllimi i kësaj seance ishte koordinimi i agjendës kombëtare për realizimin e objektivave strategjike të të dyja vendeve, anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade, integrimin euroatlantik të Kosovës, anëtarësimin tonë në NATO dhe BE, njohjen përfundimtare të Kosovës si realitet i pakthyeshëm gjeopolitik, mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, si dhe rritjen e kontributit të faktorit shqiptar për zhvillim, për demokratizim, për paqe e për sigurinë në rajon dhe më gjerë. 

Gjatë leximit të deklaratës kryetari i Kuvendit të Kosovës theksoi se asnjëherë bashkëpunimi mes të dyja vendeve nuk ka qenë më intensiv.

“Të dy Kuvendet e konfirmojnë nivelin strategjik të bashkëpunimit dypalësh. Në tërësinë e marrëdhënieve që dy vendet kanë dhe zhvillojnë në rajon, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës e kanë reciprokisht rëndësinë parësore. Sfidat e Kosovës janë edhe sfidat e Shqipërisë dhe sukseset e Kosovës janë edhe ato të Shqipërisë dhe anasjelltas. Marrëveshja e nënshkruar mes dy Kuvendeve në shtator të vitit 2022 ka institucionalizuar bashkëpunimin tonë dhe i ka dhënë edhe një mbështetje të re shtytëse bashkëpunimit mes qeverive dhe institucioneve tona, forcimit dhe komunikimit ndërnjerëzor dhe lidhjeve mes qytetarëve të të dyja vendeve”, theksoi kryeparlamentari Konjufca, duke e konsideruar shqetësues mostrajtimin e aplikimit të Kosovës për statusin vend kandidat në BE.

Kryetari Konjufca tha se të dyja Kuvendet i dënojnë sulmet në territorin e Kosovës dhe i bëjnë thirrje Serbisë t’i dorëzojë autorët e tyre.

“Duke i bërë thirrje Serbisë që ta dorëzojë në Kosovë terroristin Milan Radojçiq që qëndron pas këtij sulmi dhe të gjithë të tjerët të përfshirë në mënyrë që ata të dalin para drejtësisë në Kosovë, si dhe të tërhiqet nga qasjet e deritashme penguese për zbardhjen e këtij akti të rëndë të agresionit me pasoja destabilizuese dhe më gjerë“, tha ndër të tjera kryetari Konjufca. 

Me miratimin e deklaratës seanca e përbashkët mbylli punimet.