Kuvendi i Republikës së Kosovës

Tryezë diskutimi për Raportin e BE-së për Kosovën

20.11.2023

Sot, Komisioni për Integrim Evropian mbajti tryezë diskutimi lidhur me të gjeturat e Raportit vjetor të Progresit për Kosovën.

Të pranishëm në këtë tryezë ishin Jörn Rohde, Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë, Tomáš Szunyog, Shef i ZBE/PSBE, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër nga Qeveria e Kosovës, Demush Shasha, Drejtor Ekzekutiv i EPIK, si dhe përfaqësues të tjerë nga shoqëria civile dhe grupet e interesit.

Fjalën hyrëse të kësaj tryeze e mbajti kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi, duke falënderuar të pranishmit dhe duke theksuar që qytetarët e Kosovës që nga janari i vitit 2024 do të lëvizin lirshëm në vendet e Evropës, ashtu siç theksohet edhe në Raportin e Progresit për vitin 2023. 

Duke përmendur të gjeturat kyçe të këtij raporti, deputetja Krasniqi tregoi të arriturat e vendit që potencohen në raport si dhe shprehu shqetësimin lidhur me vonesën e Kosovës për t’u bërë kandidate për tu integruar në Bashkimin Evropian.

Ambasadori gjerman, Jörn Rohde vlerësoi pozitivisht qëllimin e një tryeze të tillë, duke specifikuar reformat që janë bërë në Kosovë, por edhe fushat në të cilat Kosova duhet të fokusohet tutje. Duke përmendur se Kosova ka mbetur e përkushtuar në dialogun e lehtësuar nga BE, ambasadori Rohde tha se brengosjet e tij mbeten në mosbashkëpunimin e partive politike në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, që ndikojnë direkt në zhvillimin e vendit. 

Duke theksuar rëndësinë e arritjes së momentumit në normalizimin e raporteve me Serbinë, ambasadori gjerman potencoi se qytetarët e Kosovës që nga 1 janari do të lëvizin lirshëm dhe se Qeveria Gjermane do ta ndihmojë Kosovën në rrugën drejt BE-së.

Në anën tjetër, nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u potencuan fushat në të cilat Kosova ka shënuar progres si dhe aspektet e tjera që sipas tij, të dhënat e raportin nuk e reflektojnë progresin që Kosova ka bërë, sidomos reformat në administratën publike dhe te sundimi i ligjit, që bie ndesh me raportet e tjera ndërkombëtare, të cilat theksojnë se Kosova qëndron më lart sesa që tregon Raporti i Progresit. 

Zëvendëskryeministri Bislimi përmendi gjithashtu se pakoja zgjerimit për hapjen e negociatave për integrim në BE për vende të Ballkanit e kthen një shpresë që zgjerimi i BE-së është prapë në fokus dhe se duhet të mbështeten vetëm ato vende që përmbushin standardet e BE-së. Andaj, përmendi se vonesat e trajtimit të aplikimit të Kosovës për të fituar statusin e kandidatit në BE e dobësojnë pozicionin e BE-së në Kosovë, ngase duhet të merret parasysh progresi që është shënuar ndër vite. 

Në fund të fjalimit të zëvendëskryeministrit Beslimi u tha se Qeveria është e hapur të bashkëpunojnë me të gjitha palët e interesit për të implementuar rekomandimet e dhëna në Raportin e Progresit për vitin 2023.

Të arriturat dhe sfidat që Kosova ka përballë në arritjen më të lartë të performancës në Raportin e Progresit, u theksuan edhe nga z. Tomáš Szunyog, shef i ZBE/PSBE. i cili tha se që nga 1 janar qytetarët do udhëtojnë lirshëm në BE, por që procesi i integrimit në familjen evropiane ende kërkon përkushtim dhe përmbushje të reformave të Bashkimit Evropian. Siç potencoi shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, progresi i mëtutjeshëm i Kosovës është i qartë dhe se vendimet merren nga Këshilli i Evropës njëzëri, andaj të gjithë duhet të punojnë në arritjen e këtij unanimiteti. 

Në anën tjetër, Drejtori Ekzekutiv i EPIK, Demush Shasha, para të paranishmëve paraqiti vizualizisht të gjeturat e Raportit të Progresit, duke theksuar se Kosova dhe Shqipëria janë duke performuar më mirë sesa 4 vende të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe nëse trendi i reformave vazhdon, sipas tij, dy vendet e para që do të anëtarësohen në BE do jenë Shqipëria dhe Kosova.

Diskutimit të kësaj tryeze iu bashkangjitën edhe përfaqësues nga shoqëria civile të cilët paraqitën qëndrimet e tyre karshi fushave që si shoqëri civile përfaqësojnë. Si rrjedhojë, përfaqësuesit e tyre treguan specifikisht se si i vlerësojnë të arriturat e Kosovës ndër vite duke bërë krahasime me të gjeturat që janë paraqitur në Raport të Progresit. Po ashtu, në mënyrë konstruktive u dhanë rekomandime se ku duhet të fokusohet Kosova tutje për të shënuar përparime më të kënaqshme sesa ato ekzistuese, duke potencuar se janë të hapur për bashkëpunim, si në drejtësi, shëndetësi, media, të drejta të njeriut, barazi gjinore dhe në secilën sferë që përfaqësojnë.

Me diskutimet e tyre përmbajtësore kontribuuan edhe deputetët e tjerë pjesëmarrës, duke potencuar se fokusi duhet të jetë te rekomandimet e dhëna në Raport të Progresit, në mënyrë që në vitin e ardhshëm të ketë përmirësime të dukshme në ato dhe të tjera aspekte.
 
Tryeza mbylli punimet me diskutimin e kryetares së Komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi, e cila ftoi të pranishmit për bashkëpunim të mëtutjeshëm në avancimin e shtetit të Kosovës në harmoni me politikat e Bashkimit Evropian.