Kuvendi i Republikës së Kosovës

Vizitë e Komisionit për Arsim në Shkollën e Mesme Teknike "Mehmet Isai" në Gjilan  

21.02.2024

Gjatë ditës së sotme, anëtarët e Komisionit për Arsim Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, vizituan Shkollën e Mesme Teknike “Mehmet Isai” në Gjilan. Në këtë vizitë, bashkë me përfaqësuesit nga Komuna e Gjilanit dhe donatorët e partnerët zhvillimorë nga GIZ, janë njoftuar rreth punës së kësaj shkolle dhe mënyrës se si ata bashkëpunojnë me nxënësit për t'i përgatitur ata për t'u integruar me sukses në tregun e punës në të ardhmen.
 
Tutje, Komisioni Parlamentar për Arsim vazhdoi vizitën në biznesin "Rexha-E" në fushën e automekanikes. Ky biznes, i cili operon me sukses në komunitetin lokal, është një shembull frymëzues për aftësitë dhe pasionin në fushën e automjeteve. Ata u njohën me proceset dhe teknologjitë më të reja në fushën e automekanikës, duke bërë një shëtitje të detajuar nëpër ambientet e punës dhe duke diskutuar me stafin e kompanisë. Në këtë mënyrë, ata morën një perspektivë të qartë mbi sfidat dhe nevojat e bizneseve lokale në sektorin e shërbimeve teknike.
 
Vizitat e tilla janë thelbësore për të monitoruar dhe mbështetur zhvillimin e arsimit dual e aftësimit profesional dhe për të siguruar që të rinjtë të jenë të përgatitur për sfidat e tregut të punës.