Kuvendi i Republikës së Kosovës

Forumi për Transparencë Parlamentare takoi drejtoreshën e NDI-së në Poloni, Zuzana Papazoski

18.03.2015

Forumi për Transparencë Parlamentare, i drejtuar nga Zenun Pajaziti, kryetar, priti sot në takim drejtoreshën e NDI-së në Poloni, njëkohësisht këshilltare legjislative për programet e Evropës Qendrore dhe Lindore (CEE), Zuzana Papazoski.

 

Kryetari Pajaziti e njohu znj. Papazoski me hapat që Kuvendi ka ndërmarrë viteve të fundit në rritjen e transparencës dhe hapjen gjithnjë më të madhe para publikut.

 

Pajaziti tha se një rol të rëndësishëm në këtë drejtim ka luajtur Forumi për Transparencë, nën ombrellën e të cilit janë zhvilluar dhe vazhdojnë të zhvillohen një varg aktivitetesh që forcojnë qasjen e publikut në punën legjislative dhe afrojnë ligjvënësit me zgjedhësit e tyre.

 

Ai tha se këto rezultate nuk do të mund të arriheshin pa mbështetjen e organizatave partnere, siç është NDI, e cila vazhdon të luaj një rol të rëndësishëm në këtë aspekt.

 

Znj. Zuzana Papazoski, në anën tjetër, u shpreh e kënaqur me rrugën që Kuvendi i Kosovës po ndjek sa i përket transparencës, duke e konsideruar këtë model pozitiv për shtetet e rajonit.

 

Një takim i veçantë midis përfaqësueses së lartë të NDI-së, Papazoski dhe kryetarit të Forumit, Zenun Pajaziti e anëtares Shqipe Pantina, është zhvilluar gjatë ditës së djeshme.