Kuvendi i Republikës së Kosovës

Vizita e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, në Shqipëri

18.03.2015
Në kuadër të vizitës së tij zyrtare katërditshe në Shqipëri, kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka zhvilluar takime me udhëheqjen më të lartë të Shqipërisë, presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha dhe me kryekuvendaren Jozefina Topalli.

Pavarësia Kosovës është e pakthyeshme, ndërsa Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën

Në takimin me kryekuvendarin Krasniqi, presidenti i Republikës së Shqipërisë , prof.dr. Bamir Topi, i ka vlerësuar të shkëlqyera marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona. Kreu i shtetit shqiptar ka vlerësuar zgjedhjet lokale në Kosovë, të cilat i ka cilësuar të lira dhe demokratike, të organizuara nga vetë institucionet e Kosovës. Ai ka pohuar se këto zgjedhje konfirmuan pjekurinë dhe vizionin largpamës të udhëheqjes politike dhe të shoqërisë së Kosovës. Topi, ndërkaq, ka inkurajuar për tolerancë dhe bashkëpunim, si dhe për integrim të pakicave në shoqërinë e Kosovës, sidomos të serbëve, si parakusht për ndërtimin dhe funksionimin e mirë të shtetit demokratik dhe shumetnik.

Presidenti Topi e ka siguruar kreun e Kuvendit të Kosovës se pavarësia dhe njohja e Kosovës është e pakthyeshme dhe se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në arenën ndërkombëtare për më shumë njohje dhe për forcimin e institucioneve të saj, si objektiv thelbësor për konsolidimin e Kosovës si vend i pavarur.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, duke falënderuar Presidentin Topi për pritjen e ngrohtë e miqësore, vlerësoi përpjekjet e vazhdueshme të të gjitha institucioneve të Shqipërisë në funksion të konsolidimit të pavarësisë. Ai ka vlerësuar se Kosova ka ende nevojë për ndihmën e Shqipërisë në procesin e forcimit të shtetit të ri dhe njohjes në arenën ndërkombëtare. Krasniqi ka shprehur kënaqësinë për vullnetin e përhershëm të institucioneve të Prishtinës dhe atyre të Tiranës në funksion të aspiratave të përbashkëta integruese evropiane.

Presidenti Topi dhe kryeparlamentari Krasniqi në këtë takimi kanë vlerësuar përkushtimin e Shqipërisë dhe të Kosovës ndaj vlerave dhe aspiratave të përbashkëta euroatlantike, të cilat, janë shprehur ata, përbëjnë një platformë të sigurt për zgjerimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Ata kanë shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin e deritanishëm në shumë fusha të jetës si, në atë të ekonomisë, të arsimit, shëndetësisë, kulturës, etj, duke theksuar vullnetin e përbashkët për shtimin e këmbimeve tregtare midis dy vendeve, të cilat pritet të shënojnë ngritje cilësore pas përfundim të rrugës Durrës-Prishtinë.

Kosova ndodhet përpara proceseve të mëdha

Kryekuvendari Krasniqi u prit sot edhe nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Me këtë rast zonja Topalli theksoi se bazuar në marrëdhëniet unike mes dy vendeve në rajon, bashkëpunimi mes qeverive, parlamenteve dhe institucioneve tjera përbën një model të përkrahjes për të ecur përpara. Shqipëria dhe Kosova po jetojnë momente historike.

Kosova ndodhet përpara proceseve të mëdha, ashtu si edhe Shqipëria që është në një vit shumë të rëndësishëm, kur pritet heqja e vizave dhe opinioni i KE-së për statusin e vendit kandidat. Ajo tha se Kosova dhe institucionet e saj po bëjnë një punë të shkëlqyer në forcimin e shtetit ligjor. Përkitazi me procesin e njohjes së Kosovës ajo shprehu bindjen se gjithnjë e më shumë shtete do t™i shtohen listës së vendeve që do ta njohin Kosovën. Cilido qoftë mendimi këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, nuk do të ketë asnjë efekt juridik mbi pavarësinë e Kosovës. Pavarësia dhe njohja e Kosovës është e pakthyeshme. Në vijim kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë foli për punën Parlamentit të Shqipërisë, duke vënë në pah se ai ka miratuar në këtë periudhë rreth 116 ligje, si dhe ka plotësuar çdo detyrim për heqjen e vizave. Paralelisht po lobohet me vendet e BE-së për një vendim sa më të shpejtë për këtë çështje.

Diplomacia parlamentare, tha ajo, është shumë e rëndësishme, veçanërisht në kohërat që po jetojnë Shqipëria dhe Kosova. Lobimi intensiv është një faktor thelbësor në përshpejtimin e proceseve, si të njohjes së pavarësisë së Kosovës, ashtu edhe të heqjes së vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë. Temë e takimit ishte posaçërisht thellimi ndërparlamentar Shqipëri-Kosovë. Në këtë vështrim u tha se Shqipëria dhe Kosova do të nënshkruajnë shumë shpejt marrëveshje të reja bashkëpunimi veçanërisht për lehtësimin e bashkëpunimit ekonomik, që nënkupton edhe zbatimin më intensiv të 58 marrëveshjeve ekzistuese, ndërsa marrëveshjet ndërmjet dy vendeve ratifikohen në procedurë të shpejtuar.

Kryekuvendari Krasniqi tha se kur bëhet fjalë për për heqjen e vizave për Shqipërinë gëzohemi siç do të gëzoheshim për Kosovën. Përshpejtimi i Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit i jep edhe Kosovës një shpresë të madhe për të ecur përpara. Ndërkaq, në vazhdim ai theksoi se Autostrada e Kombit do të fillojë së ndërtuari së shpejti edhe në territorin e Kosovës. Kjo është një arterie shumë e rëndësishme e forcimit të lidhjeve ekonomike e njerëzore.

Kryetarët e kuvendeve të Shqipërisë dhe të Kosovës ranë dakord për hartimin e një agjende të përbashkët shkëmbimesh të vizitave të komisioneve parlamentare për shkëmbimin e përvojave.

Kryekuvendari Krasniqi gjatë këtij takimi e ftoi kryekuvendaren e Topalli për të bërë një vizitë në Kosovë.

Pas takimit u dha edhe një konferencë shtypi. Me këtë rast znj. Jozefina Topalli pasi theksoi se kishte nderin e kënaqësinë e veçantë të presë kryetarin Krasniqi, e përgëzoi Kuvendin e Kosovës, që është në krye të proceseve të rëndësishme të konsolidimit të shtetit ligjor, të demokratizimit të mëtejshëm, por edhe të legjislacionit të ri që po kalon me objektivin dhe qëllimin e përbashkët drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ajo vlerësoi lart gatishmërinë dhe punën që ka bërë Kuvendi, Qeveria, dhe vetë qytetarët në Kosovë edhe në bashkëpunimin e tyre me EULEX-in , BE-në dhe me NATO-n.Ne mbështesim fort çdo përpjekje të institucioneve të presidentit, kryetarit të Kuvendit, Qeverisë, të politikanëve të tjerë në këto procese sfiduese të Kosovës. Ndërkohë, për Shqipërinë është një vit jashtëzakonisht i rëndësishëm, në të cilin ne kemi punë të tjera të mëdha dhe të rëndësishme, me pritshmëri edhe më të mëdha, theksoi Topalli. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës përbëjnë model në rajon, model të mrekullueshëm në marrëdhëniet politike, ekonomike dhe në të gjitha fushat tjera - janë marrëdhënie të shkëlqyera unike.

Kosova - faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon në rrugëtimin drejt integrimit euroatlantik

Kryekuvendari Krasniqi gjatë kësaj vizite kishte një takim edhe me kryeministrin e Shqipërisë, z. Sali Berisha. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha vlerësoi se tashmë Kosova ka bërë një transformim të madh duke u konsoliduar çdo ditë e më shumë në faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon.

Kryeministri Berisha vlerësoi reformat e ndërmarra në Kosovë, të cilat po i konsolidojnë institucionet demokratike dhe respektimin e të drejtave të minoriteteve dhe po e shndërrojnë Kosovën në faktor të rëndësishëm stabiliteti në rajon në rrugëtimin drejt integrimit euroatlantik.

Kryekuvendari Krasniqi e falënderoi përzemërsisht kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore dhe i përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta, respektin dhe vlerësimin e personaliteteve dhe popullit të Kosovës. Ai vlerësoi lart kontributin e kryeministrit Berisha dhe të qeverisë shqiptare për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme që i kanë dhënë në vazhdimësi Kosovës, si në procesin e njohjes së pavarësisë, ashtu edhe në forcimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit në të gjitha fushat, në dobi të së mirës së të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre. Në veçanti, kryekuvendari Krasniqi shprehu mirënjohjen ndaj kryeministrit Berisha për kontributin dhe rolin e tij për realizimin e projektit të rrugës së kombit, e cila do të shërbejë si një faktor shumë i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve të ngushta e të gjithanshme dhe integrimin kulturor, por edhe ekonomik të kombit.

Gjithashtu, u rikonfirmua vullneti i palëkundur i të dy vendeve për t™i konsoliduar edhe më tej bashkëpunimin vëllazëror dhe me interes të ndërsjellë në fushën ekonomike, tregtare, arsimore, kulturore dhe për heqjen e të gjitha barrierave qofshin këto të karakterit doganor, tatimor etj., duke e kthyer bashkëpunimin midis Kosovës dhe Shqipërisë.

Në takim u vlerësuan gjithashtu zhvillimet shumë pozitive për sa i përket konsolidimit të demokracisë në Kosovë, siç ishin zgjedhjet e fundit lokale, në veçanti pjesëmarrja e komunitetit serb në këto zgjedhje. Kryeparlamentari Krasniqi vlerësoi lart dhe falënderoi kryeministrin Berisha për ndihmën dhe mbështetjen që qeveria shqiptare i ofroi Komunës së Graçanicës. Ai vlerësoi edhe zhvillimet shumë pozitive që kanë ndodhur në Shqipëri për sa i përket ecjes së saj përpara në rrugëtimin europian dhe euroatlantik.

Udhëheqja më e lartë e Shqipërisë në të tri takimet i përcollën presidentit Sejdiu, kryeministrit Thaçi dhe bartësve tjerë të institucioneve të Kosovës përshëndetjet më të përzemërta.

Nesër, kryekuvendari Krasniqi takohet me zëvendëskryeminstrin e Shqipërisë, Ilir Meta , si dhe kryetarin e Partisë Socialiste , Edi Rama.