Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi vazhdoi punimet e dy seancave plenare

09.07.2020

Sot, Kuvendi i Republikë së Kosovës, mbajti vazhdimin e seancës plenare të datës 11. 06. 2020, nën udhëheqjen e kryetares së Kuvendit, dr. Vjosa Osmani.

 

Seanca e sotme filloi me thirrjen e kryetares së Kuvendit, për respektimin e rekomandimeve të IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, për aplikimin e masave mbrojtëse kundër virusit COVID-19, duke filluar kështu nga mbajtja e distancës sociale në mes të deputetëve.

 

Kryesuesja e seancës procedoi me hedhjen në votim të pesë projektligjeve, që kanë të bëjnë me ratifikimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare: Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar, Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan, Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës  mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020” dhe Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.

 

Asnjëri prej pesë projektligjeve nuk mori votat e mjaftueshme prej 2/3 të përbërjes së Kuvendit dhe rrjedhimisht për procedimin e tyre të mëtejmë do të vendosë Kryesia e Kuvendit.

 

Kuvendi vazhdoi punimet me pikën e vetme të rendit të ditës të seancës së filluar më 23 qershor 2020, votimin e Propozim-rezolutës nga Raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe debati parlamentar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

 

Megjithatë, me kërkesë të propozuesit të saj, nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, propozim-rezoluta u tërhoq, me arsyetimin se tashmë konteksti politik ka ndryshuar dhe se procesi i dialogut kërkon një qasje më gjithëpërfshirëse.

 

Në anën tjetër, kryetari i GP të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, i propozoi Kuvendit një rezolutë tjetër, prej katër pikash, e cila nuk mori mbështetjen e GP të PDK-së e as atij të LDK-së, e rrjedhimisht as votat e mjaftueshme të deputetëve.