Kuvendi i Republikës së Kosovës

Asambleja Parlamentare miraton raportin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

16.04.2024

Procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës ka marrë sot mbështetje dërmuese në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), e cila po zhvillon punimet në Strasburg të Francës.

Me 131 vota, 29 kundër dhe 11 abstenime, Asambleja ka miratuar raportin për aplikimin e Kosovës, të raportueses Dora Bakoyannis, duke i hapur rrugë kështu votimit të tij në Komitetin e Ministrave.

Në këtë sesion ishin të pranishëm anëtarët e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në APKE, Saranda Bogujevci, kryesuese, Arben Gashi dhe Enis Kervan, anëtarë, si dhe Ariana Musliu-Shoshi dhe Besnik Tahiri, zëvendësanëtarë. 

Në APKE po qëndron edhe zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme të Diasporës, Donika Gërvalla dhe zv/ministri Kreshnik Ahmeti. 

Në fillim të debatit raportuesja për Kosovën, Dora Bakoyannis, paraqiti raportin konsultativ për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke konstatuar se Kosova është demokraci funksionale parlamentare me garanci të forta për pavarësinë e gjyqësorit dhe të drejta themelore të njeriut. Ajo shtoi se zgjerimi i juridiksionit të Gjykatës Evropiane do të kontribuonte në të drejtat e njeriut.

Raportuesja Bakoyannis shprehu optimizmin e saj se Asambleja do ta rekomandojë që Kosova të ftohet të bëhet anëtare.

“Në bazë të faktorëve të përmendur, mendim i imi është që Asambleja Parlamentare do t’i rekomandojë Komitetit të Ministrave që të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Shpresoj që sot Asambleja do ta nënvizojë nevojën për ta sjellë në ombrellën demokratike të Këshillit të Evropës, dy milionë evropianë të tjerë për t’i mbrojtur ata nga shkeljet”, thekso Bakoyannis.

Punimet e sesionit vijuan me deklarimet e grupeve politike, të cilët pothuajse njëzëri mbështetën raportin e znj. Bakoyannis, me theks te vecante grupi Socialist, EPP dhe ALDE, duke e konsideruar atë të balancuar dhe largpamës.

Në diskutimet e shumicës së anëtarëve të Asamblesë iu dha mbështetje e fuqishme anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke e konsideruar këtë si një të drejtë legjitime të dy milionë qytetarëve për të siguruar qasjen në shërbimet që ofron Këshilli, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në këtë linjë dominoi vlerësimi se Kosova meriton anëtarësimin në këtë organizatë, ngase ka bërë hapa të rëndësishëm drejt një demokracie funksionale dhe se posedon një bazë kushtetuse e ligjore shumë të avancuar. U vlerësua po ashtu se ky anëtarësim do të forconte paqen dhe stabilitetin në rajon.

Nga delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës në APKE, deputetët Arben Gashi dhe Enis Kervan, duke falënderuar znj. Bakoyannis për punën e saj të shkëlqyer dhe raportin e paraqitur, potencuan arritjet që Kosova ka bërë në shumë fusha, si në aspektin kushtetues e ligjor, ashtu edhe në atë praktik, veçanërisht në mbrojtjen dhe përfaqësimin e komuniteteve pakicë. 

Ata e konsideruan ditën e sotme një moment historik për Kosovën dhe Këshillin e Evropës, përderisa u bënë thirrje anëtarëve ta mbështesin kërkesën e saj për anëtarësim.

Krahas shumë shteteve evropiane, raporti mori mbështetje të fuqishme edhe nga përfaqësuesit e Shqipërisë e të Maqedonisë së Veriut, Blerina Gjylameti, Lulzim Basha e Arta Bilalli Zendeli, të cilët konsideruan se Këshilli i Evropës sot qëndron në një moment kthese historke jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha idealet që bart vet KE-ja. Ata vlerësuan se vota për Kosovën është votë për stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkan dhe gjetiu, për avancimin e sundimit të së drejtës, forcimin e demokracisë dhe avancimin e të drejtave të njeriut.

Përfaqësues të Serbisë dhe anëtarë serbë që përfaqësonin Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën, nga ana e tyre, kundërshtuan raportin e znj. Bakoyannis. Po ashtu disa amendamente u propozuan edhe nga disa anëtarë të tjere të Asamblesë por që të njëjtat nuk u mbështetën nga shumica. 

Pasi hodhi poshtë amendamentet e propozuara, Asambleja Parlamentare i dha dritën jeshile ecjes së Kosovës përpara, për t’u bërë anëtare e kësaj organizate të rëndësishme evropiane.

Tani raporti i miratuar do t'i përcillet Komitetit të Ministrave për votim, i cili pritet të mblidhet më 16-17 maj 2024