Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione

07.05.2024

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, mbajti sot mbledhjen e radhës, udhëhequr nga Duda Balje, kryetare.

Në këtë mbledhje për të diskutuar lidhur me peticionin e punëtorëve të AKP-së, të ftuar para anëtarëve të komisionit ishin Drejtori Ekzekutiv dhe Kryesuesi i Bordit Drejtorёve tё Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Nga ana e përfaqësuesëve të AKP-së, për sa i përket peticionit lidhur me barazinë gjinore, ushtruar nga punëtorët e kësaj agjencie, u theksua se kanë bërë përpjekje për ta rritur përfaqësimin gjinor, duke u zotuar se do të angazhohen edhe më shumë në drejtim të përmirësimit dhe rritjes së përfaqësimit gjinor.

Tutje, Kryetarja e Komisionit Duda Balje, lidhur me peticionin e ngritur, u interesua të dinte më shumë rreth përfaqësimit gjinor në AKP, duke ofruar mbështetjen e këtij komisioni, ndërkaq nga të njëjtit ka kërkuar të merren më seriozisht me këtë çështje.

Edhe deputetë tjerë, anëtarë të këtij komisioni ngritën shqetësimet e tyre lidhur me peticionin e ushtruar nga punëtorët e AKP-së, duke kërkuar që të merren masa në këtë drejtim.