Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga Komisioni për Buxhet dhe Transfere

25.11.2020

Komisioni për Buxhet dhe Transfere, kryesuar nga kryetari Hekuran Murati, mbajti sot mbledhjen e radhës, e cila u hap me shqyrtimin e raportit vjetor financiar të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT SH.A. për vitin 2018 dhe 2019.

 

Këtë raport para deputetëve e prezantuan kryesuesi i Bordit të KOSST-it Jeton Mehmeti dhe kryeshefi i këtij institucioni, Mustafë Hasani.

 

Pas prezantimit të raportit u hapën diskutimet, ku pati shumë pyetje nga ana e deputetëve, anëtarë të Komisionit, e me theks të veçantë për pagesat e energjisë elektrike në komunat veriore të Kosovës.

 

Në pyetjet e deputetëve përgjigje dhanë përfaqësuesit e KOSST, ndërsa pas shterimit të debatit raporti u hodh në votim.

 

Raporti vjetor financiar i KOSST për vitin 2018 dhe 2019 mori votat unanime të anëtarëve të Komisionit dhe i njëjti i rekomandohet Kuvendit për miratim.

 

Më pas Komisioni për Buxhet dhe Transfere shqyrtoi raportin financiar vjetor të Zyrës Rregullative për Energji për vitin 2019, të cilin e prezantoi kryesuesi i Bordit, Arsim Janova.

 

Edhe në këtë pikë pati pyetje të ndryshme nga deputetët. Pas diskutimeve, raporti u hodh në votimdhe që mori votat e shumicës së deputetëve të pranishëm.

 

Raporti vjetor financiar të ZRRE-së për vitin 2019 i miratuar nga Komisioni për Buxhet dhe Transfere i rekomandohet Kuvendit për miratim.

 

Tutje Komisioni për Buxhet dhe Transfere shqyrtoi raportin  vjetor financiar të Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare për vitin 2019, të cilin e prezantoi anëtari i Bordit të ARKEP-it, Hazir Hajdari.

 

Edhe ky raport mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve të komisionit.

 

Komisioni shqyrtoi edhe raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për nëntëmujorin e vitit 2020, të cilin e prezantoi dhe arsyetoi sekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ismet Krasniqi.

 

Sekretari Krasniqi informoi deputetët në lidhje me shpenzimet për këta nëntë muaj, duke shtuar se për shkak të situatës me COVID-19 nuk janë mbajtur një sërë aktivitetesh të parapara, e që rrjedhimisht, sipas tij ka edhe ulje të shpenzimeve.

 

Pas raportimit të sekretarit të Krasniqit, raporti me shpenzime të Kuvendit për nëntëmujorin e vitit 2020 u hodh në votim dhe u miratua njëzëri nga anëtarët e Komisionit.

 

Komisioni vijoi punimet me votimin në parim të Projektligjit nr.07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, por që, për të cilin nuk pati vendimmarrje.

 

Njëjtë ndodhi edhe me raportin me rekomandime për Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike - Covid-19, i cili, në mungesë të vendimmarrjes, nuk u procedua për shqyrtim të mëtejmë në Kuvend.