Kuvendi i Republikës së Kosovës

Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike,  realizuan vizitë zyrtare në Stokholm të Suedisë

22.03.2024

Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike: Arta Bajralija, Mirlinda Tishukaj – Sadiku,  Rashit Qalaj dhe Albana Bytyqi, më 19 dhe 20 mars 2024, realizuan një vizitë zyrtare në Stokholm të Suedisë.

Pjesëmarrëse në këtë vizitë ishte edhe Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, si dhe zëvendës/auditori i përgjithshëm, Bezad Halilaj, me përfaqësues tjerë. 

Me këtë rast, delegacioni nga Kosova është pritur në takim të veçantë nga auditorja e përgjithshme e Suedisë, Helena Lindberg, e cila vlerësoi lartë bashkëpunimin shumëvjeçar në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë (ZKAS) dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës (ZKAK). Ajo njoftoi mysafirët për mandatin, rolin dhe punën e institucionit që drejton ajo,  si dhe për  rëndësinë e bashkëpunimit me Parlamentin e Suedisë dhe komisionet parlamentare.

Takimet vazhduan edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të ZKAS-së ku është bashkëbiseduar lidhur me rolet dhe përgjegjësitë e Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) ndaj Parlamentit dhe në procesin e llogaridhënies, auditimet financiare, auditimet e performancës, si dhe për çështje tjera me interes të përbashkët.  

Deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësuesit e ZKA-së, zhvilluan takime edhe në Parlamentin e Suedisë, me deputetët Hans Ekström, zëvendës/kryesues i Këshillit për ZKAS-në dhe anëtar i Komisionit Kushtetues, David Peres, anëtar i Komisionit për Financa, si dhe anëtarë të tjerë të kabineteve nga këto komisione. 

Në këto takime u  bashkëbisedua për rritjen e bashkëpunimit si dhe ndikimin për zbatimin e rekomandimeve me qëllim të funksionimit më të mirë të zinxhirit të llogaridhënies.  Po ashtu, deputetët nga Kosova janë njoftuar për së afërmi nga homologët e tyre suedezë, se si ata trajtojnë raportet e auditimit dhe marrëdhëniet me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë.

Gjatë qëndrimit në Stokholm, deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësuesit e ZKA-së, zhvilluan vizitë edhe në Agjencinë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA).