Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kosovës i avancohet statusi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s

24.03.2024

Komisioni i Përhershëm drejtues i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili po zhvillon punimet në Estoni, sot vendosi që ta ngre statusin e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në nivelin e anëtarit të asociuar në Asamble. Ky është niveli më i lartë i prezencës në Asamble deri në anëtarësim të plotë të Kosovës në NATO. 

Për shumë vite Kosova kishte statusin e anëtarit vëzhgues. Ky vendim do të formalizohet me votim në Asamblenë parlamentare të NATO-s në sesionin pranveror të Asamblesë, që do të mbahet më 27 maj në Sofje.  

Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit në Asamblenë e NATO-s do të ketë zgjerim të delegacionit, Kosova përfshirje më të madhe në vendimet e Asamblesë dhe të drejtë në adresimin e amendamenteve dhe komenteve për secilin proces e dokument i cili trajtohet nga Asambleja, të cilat më herët është dashur të bëhen përmes delegacioneve të vendeve tjera, kryesisht Shqipërisë. 

Me këtë rast, kryesuesi i Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-së, Driton Hyseni, ka falënderuar të gjithë anëtarët e komisionit drejtues të asamblesë për vendimin e marrë sot në favor të Kosovës. 

Një falënderim të veçantë nëpërmjet komunikimit në telefon kryesuesi Hyseni i shprehu presidentit të Asamblesë, z. Michal Szczerba, duke konfirmuar pozicionin e palëkundur të Kosovës në avancimin e vlerave të përbashkëta.