Kuvendi i Republikës së Kosovës

Anëtarët e Kryesisë pritën ambasadorin çek në Beograd, Ivon Jastrab

18.03.2015

Anëtarët e Kryesisë: Fatmir Sejdiu, Xhavit Haliti, Naim Maloku, Gazmend Muhaxheri, Xhezair Murat, si dhe deputeti nga Lista Serbe, Oliver Ivanoviq, kanë pritur sot në një takim të përbashkët ambasadorin e Çekisë në Beograd, Ivon Jastrab dhe kanë biseduar me te për zhvillimet në Kosovë, për punën e institucioneve ( me theks të veçantë të Kuvendit) për thellimin e demokracisë, lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe kthimin e të zhvendosurve, si dhe për përparimin ekonomik të vendit.

Fillimisht deputeti Fatmir Sejdiu, ka folur për përbërjen e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar larminë politike dhe etnike, të përfaqësuar nga shtatëmbëdhjetë subjekte. Ai pastaj ka shfaqur shpresën se punës së Kuvendit të Kosovës së shpejti do t™i bashkohen edhe deputetët nga Lista Serbe.

Kosova po hyn në fazën përfundimtare të bisedave për zgjidhjen e statusit

Ambasadori i Çekisë në Beograd, Ivon Jastrab, ka shprehur kënaqësinë që takohet me përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike dhe etnike, por të ulur bashkërisht dhe të interesuar për jetë të përbashkët në Kosovë. Ai është shprehur se Kosova po hyn në fazën përfundimtare të bisedave për zgjidhjen e statusit dhe se shteti i tij dhe Bashkimi Evropian, anëtar i së cilit është Çekia, janë shumë të interesuar për zhvillime pozitive në Kosovë dhe përmbushjen e standardeve, si kusht i domosdoshëm që e determinon zgjidhjen e statusit.

Çekia do të mbështesë çdo zgjidhje tëpranueshme për statusin e Kosovës

Diplomati çek ka thënë se rezultati përfundimtar i bisedimeve nuk dihet por ka shtuar se Çekia do të mbështesë çdo zgjidhje për statusin e Kosovës, të cilin e pranojnë palët e interesuara.

 Ivon Jastrab pastaj ka përmendur faktin që edhe pse popujt e ish Çekosllovakisë janë ndarë paqësisht, kanë gjetur rrugën e përbashkët të integrimit evropian dhe se ushtarët çekë dhe sllovakë marrin pjesë në një batalion të përbashkët të KFORI-t në Kosovë, aktiviteti i të cilit u lavdërua edhe nga anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, pjesëmarrës në këtë takim.